Haradinaj adreson kritika ndaj Kurtit, i quan lëshime politike
M.Pasoma / RTKlive
Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, në një deklarim për media para seancës së sotme të kuvendit, ka folur për pozicionin e Kosovës në arenën ndërkombëtare, teksa ka kritikuar politikat e qeverisë Kurti.
“Fokusimi kryesor do të mbetet te takimi i majit i ministrave të Komitetit për Këshill të Evropës. Sikurse dihet, do t’i kërkohet Kosovës të veprohet me Asociacionin, zhvillimet tjera, peticioni edhe dinari. Ato do të mund të ishin krejt tjera, sikurse të ishte përcjellë dinamika e marrëveshjes së planit franko-gjerman. Të gjitha këto janë pasoja të politikës së gabuar të qeverisë Kurti”, ka thënë ai.
Haradinaj i ka quajtur lëshime të qeverisë zbatimin e vendimit të Gjykatës Kushtetuese për dhënien në shfrytëzim të tokave për Manastirin e Deçanit dhe shkarkimin e kryetarëve në katër komunat veriore, transmeton RTKlive.
“Ai po mundohet të mbulojë lëshimet që po i bën dhe të arsyetohet te votuesit e tij. Ishte rasti i tokës për Manastirin e Deçanit. Lëshim tjetër është letra e tre udhëheqësve institucional. Ishte e pastër marrja e obligimit për zbatim të Asociacionit. Njëkohësisht organizimi i peticionit (për shkarkim të kryetarëve, v.j.), aty ku ka shkuar Kurti, ai po paguan pare t'i shkarkojë ata. Ka shkuar te Lulzimi t’i thotë është patriotike të të shkarkoj me peticion”, ka thënë ai në hollin e kuvendit.























