Kurti me Peach flet për sigurinë e Kosovës, potencohet agresioni serb
BKT
Lajme

Kurti me Peach flet për sigurinë e Kosovës, potencohet agresioni serb

M.P. / RTKlive

(E përditësuar 12:10) Sipas njoftimit të zyrës së kryeministrisë, në takimin që kreu i ekzekutivit, Albin Kurti pati me emisarin britanik për Ballkanin Perëndimor Stuart Peach është diskutuar për sigurinë e Kosovës në raport me Serbinë.

“Në takim u diskutua edhe për sigurinë e Kosovës. Kryeministri theksoi rëndësinë e sigurisë së kufirit me Serbinë, prej nga edhe vjen agresioni ndaj Kosovës, siç edhe u dëshmua në shtatorin e vitit të kaluar”, njofton Kryeministria.

Sipas njoftimit, kryeministri Kurti gjithashtu ndau me Lord Peach reflektimet e tij për vizitën që kishte në Mbretërinë e Bashkuar dhe Irlandë, si dhe takimet në Irlandën e Veriut në fund të muajit shkurt të këtij viti.

“Ai falënderoi Lord Stuart Peach për mbështetjen e vazhdueshme të Mbretërisë së Bashkuar ndaj Republikës së Kosovës dhe bashkëpunimin në fushën e mbrojtjes dhe rolin aktiv të saj në fushën e sigurisë”, thuhet në njoftim, teksa potencohet vendimi i Mbretërisë së Bashkuar për dislokimin e 200 ushtarëve shtesë nga Regjimenti Mbretëror i Batalionit të Parë të Princeshës së Uellsit, që ju bashkuan misionit të NATO-s në Kosovë, KFOR me rastin e sulmit terrorist serb në Banjskë.

Stuart Peach takoi Osmanin dhe Kurtin, temë siguria rajonale

Ambasada britanike në Kosovë ka njoftuar se i dërguar i kryeministrit britanik për Ballkanin Perëndimor, Stuart Peach, është takuar në Kosovë me presidenten Vjosa Osmani dhe kryeministrin Albin Kurti.

Bëhet e ditur se në këtë takime është diskutuar për sigurinë rajonale, integrimin ndërkombëtar të Kosovës dhe çështje bilaterale.

“I dërguari për Ballkanin Perëndimor në Kosovë filloi me takime me presidenten Vjosa Osmani dhe kryeministrin Albin Kurti, duke përfshirë sigurinë rajonale, integrimin ndërkombëtar të Kosovës dhe çështjet bilaterale”, thuhet në njoftimin e kësaj ambasade.


MË SHUME NGA Lajme