Haxhiu publikon listën e aseteve të konfiskuara të Radojçiqit
E. Hoti / RTKlive
Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, ka publikuar listën e pasurive të konfiskuara dhe sekuestruara të prijësit të sulmit në Banjskë, Milan Radojçiq.
Në listën e publikuar, figurojnë më shumë se 30 vetura, ekskavator, autoblinda të modifikuara, motorë me katër rrotë, një vilë, banesë, anije dhe një lokal.
“Dokumentet më poshtë janë lista të gjata të pasurive të shumta të konfiskuara dhe sekuestruara të një kryekrimineli që vet është bërë milioner ndërkohë që qytetarët e komunitetit serb i ka përdorur përmes frikës, kërcënimit dhe shantazhit", ka shkruar Haxhiu në Facebook.
Ajo ka thënë se Radojçiq u bë milioner përmes krimit, ndërsa qytetarëve u solli terrorin e varfërimin.
“Pra, për vete milioner përmes krimit e qytetarëve terrorin dhe varfërimin. Por, kjo epokë ka marrë fund. Ka ardhë koha që qytetarët të jetojnë të qetë e kriminelët të ndëshkohen”, ka shkruar tutje Haxhiu.























