LDK: Shpalosja e të arriturave nga Qeveria në kundërshtim me realitetin
B. H. | RTKlive
Lidhja Demokratike e Kosovës ka reaguar ndaj shpalosjes së të arriturave nga Qeveria Kurti gjatë tri viteve të para të këtij mandati. LDK përmes një komunikate i ka quajtur të pavërteta deklaratat e qeverisë, se e njëjta është kujdesur për mirëqenie të qytetarëve.
“Sipas Agjencisë së Statistikave të Kosovës çmimet në Kosovë që nga marrja e mandatit të kësaj Qeverie, janë ngritur përplot 25%. Kjo ngritje enorme e çmimeve është me larta ndonjëherë në historinë e Kosovës. Pra, kjo Qeveri me mosveprim ka ndikuar që jeta e qytetarëve të vështirësohet”, thuhet në reagimin e LDK-së. Sipas këtij subjekti politik rritja e çmimeve të produktet bazike gjatë tre viteve të fundit ka shkuar deri 42%. “Këto janë produkte që na duhen çdo ditë në tavolinë si: buka, mielli, vaji, kripa, sheqeri, qumështi e vezët. Krahas ngritjes enorme të çmimeve të produkteve bazike, qytetarit të Kosovës gjatë tre viteve të fundit me qeverisjen aktuale i është zbritur paga për një të katërtën në terma real”, thuhet tutje në reagimin e LDK-së.
Sipas LDK-së vendi ynë ka inflacion enorm dhe deklaratat e qeverisë janë në kundërshtim me realitetin. “Propagandë të pushtetit kemi edhe kur flitet për inflacion. Por faktet tregojnë qartazi se Kosova ka inflacion enorm. Inflacioni është faktori kryesor që ka ndikuar në rritje të buxhetit e në qarkullim të bizneseve, të cilat Qeveria po i shet si sukses, por ky veç se sukses nuk mund të quhet. Deklaratat e fryera dhe të propaganduara të kësaj qeverie, bien në kundërshtim me realitetin që po jetojmë”, theksohet në reagimin e LDK-së, që ka shpalosur disa shifra, të cilat ky subjekt politik i ka quajtur ‘fakte para propagandës’.























