Reali dhe Man City dhurojnë spektakël, barazojnë edhe Arsenali e Bayerni
BKT
Sport

Reali dhe Man City dhurojnë spektakël, barazojnë edhe Arsenali e Bayerni

B. H. | RTKlive

Real Madrid dhe Manchester City zhvilluan një ndeshje spektakulare në çerekfinalen e parë të Ligës së Kampionëve në “Santiago Bernabeu”, që në fund u mbyll baras 3:3.

Drama nisi që në minutën e dytë, kur Bernardo Silva befasoi Luninin e fjetur me një goditje dënimi dhe i kaloi “Qytetarët” në epërsi 0:1. Reali u rikuperua shpejt nga tronditja dhe luajti menjëherë në stilin e tij, gjë që rezultoi me dy gola të shpejtë.

Fillimisht, Ruben Dias shënoi autogol pas goditjes së Camavinga në minutën e 12-të dhe vetëm dy minuta më vonë “Mbretërit” bënë një kundërvënie djallëzore në tre lëvizje, e cila u kurorëzua nga braziliani Rodrigo. Në vazhdim City e mbajti topin më shumë dhe tentoi të depërtonte sërish te rivali, por Reali qëndroi fort në mbrojtje dhe nuk lejoi depërtim të lehtë në hapësirën e tyre.

Megjithatë, ashtu siç pritej, kampioni aktual i Evropës nisi me vrull pjesën e dytë. City bëri presion në mënyrë të përsëritur dhe shpërblimi mbërriti në minutën e 66-të kur Phil Foden shënoi një gol fantastik nga 18 metra, kurse vetëm pesë minuta më vonë kroati Josko Guardiol shënoi nga distanca për 2:3. Mirëpo, madrilenët nuk u dorëzuan dhe arritën që në minutën e 79-të të barazojnë rezultatin. Vinicius hodhi një top të mrekullueshëm për Fede Valverde, i cili goditi “me të parën” dhe dërgoi topin në rrjetën e portierit Ortega.

Ky rezultat premton spektakël në ndeshjen e kthimit, e cila do të luhet pas tetë ditësh në Mançester.

Pa fitues përfundoi edhe ndeshja në Londër, ndërmjet Arsenalit dhe Manchester Cityt, me shifrat 2:2. Arsenali ishte kundërshtari më i mirë në fillim, dhe pas gjysmëshansit të Martinellit, në minutën e 12-të Bukayo Saka mposhti Neuerin. Bavarezët, pas fillimit të keq arritën të këndellen dhe që në aksionin e parë më serioz arritën barazimin. Serge Gnabry bëri një punë të shkëlqyer në zonën e rreptësisë së kundërshtarit dhe mposhti Raya për 1:1. Në minutën e 32-të Bayerni fitoi penallti, të cilën e konkretizoi Harry Kane për epërsinë e mysafirëve 1:2. Por, në minutën e 76-të, Trosari vendosi baraspeshën në rezultat 2:2.