Përkujtohen të rënët për liri |Video
Arlinda Sejda / RTK
Në Negroc të Drenasit u përkujtuan dëshmorët e martirët e rënë gjatë luftës së fundit në këtë zonë.
Pjesëmarrësit vlerësuan lart sakrificën e të rënëve për liri, e gjithashtu kërkuan drejtësi për viktimat civile.
Në përkujtim të ushtarit të vet, bashkëshortit, Vjollca dërgon lule te varri i tij. Fatosin e përkujton mes dhimbjes dhe krenarisë.
“Ishte ditë shumë e rëndë për mu dhe për djalin që ma la dy vite e 4 muaj, dhe prisja fëmijën tjetër ka lind 7 muaj pas rënies së tij, por krahas dhimbjes jam krenare më të dhe fëmijët e tij. Fatosi ka luftuar në Llapushnik, Gjergjicë dhe në Fshatinë Baicë, aty ku edhe ku ka rënë ballë për ballë me armikun”, ka thënë ajo.
Për periudhën e luftës që zgjati në zonën e Negrocit dhe fshatrave përreth, rrëfen edhe ish-komandanti i UÇK-së Elmi Shala, i cili në luftën për liri humbi vëllezërit, gjeneralët Shaban dhe Bedri Shalën.
“12 prilli është një ditë e veçantë për Negroc dhe rrethinë , se ajo ditë ka qenë një ditë beteje, ku na kanë rënë më së shumti dëshmor dhe civil, në mesin e të rënëve në gjithë luftën e UCK-së në këtë pjesë këndej në kompaninë batalioni 3, brigade 113 “Mujë Krasniqi”, janë 34 dëshmor janë dhe 36 civil, edhe pse shumë civil janë vrarë prapë se prapë nuk ndërmerret asgjë ndaj Serbisë që ka bërë gjenocid ndaj këtij populli”, ka thënë Shala.
Familjarët i përkujtojnë çdo ditë, por çdo 5 vite këshilli organizativ përmes manifestimit madhështor i përkujton dëshmorët dhe të rënët e fshatit Negroc dhe fshatrave përreth.
Nga Negroci u vlerësua kontributi në luftë i Jakup Krasniqit dhe ish-krerëve të UÇK-së të cilët ndodhen në paraburgim në Hagë.
" Këto çerdhe qëndrese u ndodhën në tekun e okupatorit serb. Ushtria kriminale hakmerrej pa mëshirshëm ndaj popullsisë civile, madje edhe ndaj foshnjave”, ka thënë Ramiz Lladrovci, kryetar i Drenasit.
Xhavit Jashari, përfaqësues i organizatave të dala nga lufta ka thënë se veprimin dhe guximin e patën bijtë dhe bijat e kombit që u radhitën në luftën e lavdishme të UÇK-së dhe se fal këtij veprimi historik kjo pjesë e atdheut është e lirë.
Kurse Ferat Shala, ish komandant i UÇK-së, ka thënë: “përulem para ndjenjës më sublime të UCK-së para liderëve në Hagë dhe para dëshmorëve të kombit”.
Në Negroc u përurua edhe pllaka në shkollën “Jusuf Gërvalla” objekti i së cilës gjatë luftës shërbeu për ushtarët e UÇK-së.
70 dëshmorë e martirë të këtij vendi dhanë jetën për liri. Disa prej tyre prehen në kompleksin e varrezave “Pëllumbat e Lirisë” në Negroc.























