Konjufca:Koha e fundit që të ndodhë konsolidimi i mekanizmave të drejtësisë
Edona Podvorica | RTK
Me një minutë heshtje për vrasjen e sotme të një gruaje tjetër në Pejë, ka nisë dita e dytë e Forumit për Gruan, Paqen dhe Sigurinë.
“Konsolidimi i të gjithë mekanizmave të drejtësisë dhe gjyqësisë është koha e fundit të ndodhë, sepse gra e vajza po vriten vazhdimisht”, tha kryekuvendari, Glauk Konjufca, në hapje të ditës së dytë të këtij forumi.
“Dhuna e ushtruar ndaj tyre është kryesisht prej personave që edhe më herët kanë pasur raste penale, raste të shkeljeve të rënda dhe Sistemi i drejtësisë me shumë lehtësi i liron ata dhe pastaj kjo është parapërgatitje edhe për raste më të rënda siç ishin rastet e dy vrasjeve këtë jave në Kosovë”, tha Konjufca.
Duke folur për gratë e dhunuara gjatë luftës në Kosovë, Konjufca ka thënë se ato janë dëshmi e vuajtjes sonë të vazhdueshme.
“Rreth 20 mijë gra u dhunuan gjatë luftës së fundit në Kosovë. Këto janë dëshmia e vuajtjes sonë të vazhdueshme. Kurajo dhe forca e viktimave të këtij krimi për ta ngritur zërin është një frymëzim i jashtëzakonshëm për të gjithë ne. Ato përveç dhimbjes që i ka përcjellë, përballen vazhdimisht edhe me stigmën e shoqërisë dhe mungesën e padurueshme të drejtësisë, përderisa kryerësit e krimeve nuk e kanë marrë dënimin e merituar”, shtoi ai.
























