Kervan: Kosova ka përmbushur të gjitha kriteret për anëtarësim në KiE
BKT
Lajme

Kervan: Kosova ka përmbushur të gjitha kriteret për anëtarësim në KiE

Gentiana Kelmendi|RTKlive

Në debatin në Asamblenë Parlamentare, deputeti i Kosovës, Enis Kervan u bëri thirrje deputetëve që të votojnë në favor të raportit të përgatitur nga Bakojanis dhe theksoi se Kosova ka bërë përparim në përmbushjen e të gjitha kritereve për anëtarësim në Këshillin e Evropës.

“Përpara se të futem në këtë temë, dua të falënderoj nga zemra, Doran, për punën e saj të jashtëzakonshme dhe përkushtimin e patundur. Gjithashtu, dua të shpreh mirënjohjen për të gjithë ju dhe ata që keni kontribuar për ta bërë këtë moment historik si për Kosovën ashtu edhe për Këshillin e Evropës. Kosova ka bërë përparim të dukshëm në përmbushjen e të gjitha kritereve për anëtarësim në Këshillin e Evropës”, tha Kervan.

“Ne kemi mbështetur me zell parimet e shtetit të së drejtës, demokracisë dhe të drejtave të njeriut, me një angazhim të fortë për mbrojtjen e të drejtave të pakicave kombëtare. Ne promovojmë tolerancën, dialogun dhe pajtimin, në përputhje me standardet ndërkombëtare si Konventa Evropiane për të Drejtat e Njeriut, Konventa Kuadër për Mbrojtjen e Pakicave Kombëtare dhe Karta Evropiane për Gjuhët Rajonale ose të Pakicave”, shtoi ai.

“Për më tepër, Kushtetuta jonë garanton mbrojtjen e të drejtave ekonomike, politike, kulturore, fetare, gjuhësore, arsimore dhe mediatike për të gjitha pakicat kombëtare. Të nderuar kolegë, në shënimin e 75-vjetorit të themelimit të Këshillit të Evropës, ju bëj thirrje që të votoni në favor të raportit të përgatitur nga e nderuara znj. Bakojanis. Anëtarësimi i Kosovës në Këshillin e Evropës nuk është thjesht një gjest simbolik; është një hap i prekshëm drejt sigurimit të qasjes në drejtësi për të gjithë qytetarët tanë”, deklaroi Enis Kervan.


 


MË SHUME NGA Lajme