Avokati i Pjetër Shalës: Disa viktima nuk e kanë thënë të vërtetën
BKT
Gjykata Speciale

Avokati i Pjetër Shalës: Disa viktima nuk e kanë thënë të vërtetën

Edina Avdiu / RTK

Mbrojtësit e viktimave në çështjen gjyqësore ndaj Pjetër Shalës kanë kërkuar dënimin e tij pa propozuar ndonjë dënim konkret për të akuzuarin, por, duke sugjeruar që dënimi të jetë i konsiderueshëm në rast se ai shpallet fajtor.

“Viktimat pjesëmarrëse në këtë çështje kanë këmbëngulur dhe ata kanë luajtur një rol shumë të rëndësishëm në këtë gjykim. Në mënyra individuale, ata janë dëmtuar nga ajo se çfarë ka ndodhur në Kukës dhe dëshira e tyre mbi të gjitha është që ata të shohin që drejtësia të vendoset në vend. Në këtë çështje, kjo do të thotë se i akuzuari duhet të dënohet, të cilin ata e njohin shumë mirë, pasi ai është njëri prej personave që është përgjegjës për dëmin e shkaktuar ndaj tyre”, ka thënë Mbrojtësi viktimave - Simon Laws.

“Ne nuk propozojmë ndonjë dënim-ndëshkim konkret, apo numrin e viteve burgim që duhet të ketë ky i akuzuar në rast që shpallet fajtor sepse ne e kemi të qartë që viktimat pjesëmarrëse në këtë proces gjyqësor nuk kanë qenë vetëm viktima në këtë çështje dhe për të gjitha arsyet që ne kemi parashtruar në deklaratën mbi ndikimin e viktimave, urojmë që ky dënim të jetë i konsiderueshëm”, ka thënë Maria Radziejowka-mbrojtja e viktimave.

Ajo po ashtu tha se këto krime janë kryer ndonjëherë edhe për t’u argëtuar duke përfshirë edhe të akuzuarin.

Në anën tjetër, mbrojtja e Pjetër Shalës tha se një dëshmitar kishte deklaruar se prokurori përgjegjës për hetime në të kaluarën kishte manipuluar me deklaratat e tij.

“Janë përzgjedhur dëshmitarët për të shmangur vështirësitë dhe unë them për të shmangur realitetin. Por, kërkimi i së vërtetës është detyrë, detyrim për Prokurorinë. Është rregull ajo dhe ju e dini shumë mirë sepse ne e kemi bërë të qartë qëndrimin tonë lidhur me këtë”, ka thënë avokati i Shalës Jean-Louis Gilissen.

Nga mbrojtja e Shalës u tha se shumë dëshmi nën betim janë keqpërdorur qëllimisht e madje disa viktima nuk e kanë thënë të vërtetën.

“Kjo çështje gjyqësore në Hagë është çështje e dhimbshme, e parehatshme ku nuk do të donim të ishim pjesë sepse disa nga viktimat nuk e thanë të vërtetën. Disa viktima bën gabime. Të jemi të qartë, ne e pranojmë siç tha Gilissen, ne pranojmë se kemi dëgjuar dëshmi për dhimbje, vuajtje, fatkeqësi dhe ne pranojmë që kanë ndodhur ngjarje vërtetë famëkeqe në Kukës me 1999. Por, është e qartë z.Gjykatës që kemi një rrezik këtu që po devijojmë rrugën e drejtësisë, sa i takon zbulimit të vërtetës sepse janë bërë gabime dhe janë keqpërdorur qëllimisht dëshmi nën betim”, ka thënë Avokati i Shalës, Mohamed Hedi Aouini.

Mbrojtja e Shalës kërkoi që të kalohet në sesion privat për të folur për dëshmitarët dhe kjo u aprovua nga kryetarja e trupit gjykues, Mappie Veldt-Foglia.


MË SHUME NGA Gjykata Speciale