Ndizen qirinj në Pejë, në nderim të Gjyljeta Ukellës
G.Kelmendi|RTKlive
Në Sheshin "Skënderbeu" në qendër të qytetit të Pejës, shumë qytetarë, përfaqësues të institucioneve e organizatave joqeveritare ndezën qirinj në kujtim të Gjyljeta Ukellës, gruas që u vra nga bashkëshorti.
Aksioni u organizua nga "Syri i Vizionit" dhe organizata tjera në Pejë.
Siç thuhet në njoftimin e organizatorëve, ndezja e qirinjve u bë për t'u solidarizuar me Gjyljetën dhe të gjitha viktimat e femicidit.
"Edhe një herë, bëjmë thirrje që urgjentisht të ndalohet me mohimin e femicidit dhe dhunës në baza gjinore. Mosndëshkimi i këtyre rasteve është inkurajim i mëtejshëm!", thuhet në njoftim.
Njoftohet se nesër nga ora 11:00 është paralajmëruar marshi paqësor me moton “Kot flasim, derisa ata vrasin”. Marshi fillon nga qendra e qytetit për të vazhduar tek objektet e Policisë, Gjykatës Themelore dhe Prokurorisë Themelore në Pejë.
Ndërkohë fotot nga ndezja e qirinjve i ka publikuar në Facebook drejtoresha e Kulturës në Komunën e Pejës, Xhenet Syka e cila mes tjerash ka shkruar: Prehu në parajsën e pasosur Gjyljeta Ukella.
























