Vështirësohet gjendja e qytetarëve të bllokuar në kufirin Kroaci-Serbi
Jehona Zhitia | RTK
(Plotësuar, 14:25) 15 autobusë me mbi 300 udhëtarë në mesin e tyre një foshnje 4 muajshe kanë mbetur të bllokuar në zonën neutrale Kroaci - Serbi.
Nga kompania "Zhitia turist" kanë thënë për RTK-në se nga mëngjesi në territorin e shtetit serb kanë hyrë edhe 25 autobusë të kompanive të tjera të udhëtimit nga pika kufitare në Merdar.
Sipas drejtuesit të njërit prej autobusëve të agjencisë 'Zhitia', gjendja e udhëtarëve po shkon duke u rënduar për shkak edhe të mungesës së ushqimit nga rezervat e tyre.
Në zonën ku ndodhen udhëtarët nuk ka asnjë dyqan ku mund të furnizohen me ushqim apo pije. Autoritet serbe vazhdojnë të mos japin sqarime për arsyen e ndalimit, ndërkaq të gjitha dokumentet e udhëtarëve janë në duart e tyre, duke e pamundësuar kështu edhe kthimin mbrapa të kosovarëve që gjinden në autobusët e bllokuar.
16 kosovarë janë ndaluar nga autoritetet serbe, mbi 300 të bllokuar në kufi
(Plotësuar, 12:05) 16 kosovarë janë ndaluar nga autoritet serbe në pikën kufitare Kroaci-Serbi. Janë mbi 300 udhëtarë të cilët janë bllokuar në këtë pikë kufitare me Serbinë, që nga ora 1 e mesnatës. Lajmin për RTK-në e ka konfirmuar pronari i agjencisë së udhëtimit "Zhitia turist", Gazmend Zhitia.
Sipas tij përveç pikës kufitare Kroaci - Serbi, janë të mbyllura edhe pikat e tjera kufitare me Serbinë. Ai shtoi se nuk kanë informacione nga autoritet serbe pse po ndodhe kjo, por që udhëtarët nuk po lejohen të kalojnë nga asnjë pikë kufitare me shtetin serb.
Përveç autobusëve të kësaj linje udhëtimi, të bllokuar kanë mbetur edhe autobus të agjencive "Barileva turist" dhe "Teuta tours".
Serbia mban të bllokuar rreth 300 kosovarë në kufirin me Kroacinë | Video
B. Halimi | RTKlive
Rreth 300 qytetarë të Republikës së Kosovës kanë mbetur të bllokuar në kufirin Kroaci-Serbi. Një shtetas i Kosovës i cili po udhëton nga Kroacia në drejtim të Serbisë, e ka dërguar një video për RTKlive, ku shihen autobusët me targa të Kosovës, të cilët nuk po lejohen të hyjnë në Serbi.
Qytetarët kosovarë kanë treguar se ata kanë mbetur të bllokuar që 9 orë në pikën kufitare Kroaci – Serbi, teksa autoritetet serbe nuk po u japin sqarime pse po ndodhë diçka e tillë.
Ndërkohë, Sekretari i parë i Zyrës ndërlidhëse të Kosovës në Serbi, Fatmir Haxholli ka konfirmuar se në pikëkalimin ‘Batrovci’, Serbi – Kroaci, që nga mesnata po mbahen të bllokuar disa autobus me targa dhe udhëtarë të Republikës së Kosovës.
Ai ka thënë se një gjë të tillë autoritetet serbe po e bëjnë pa ndonjë arsye, por thjesht “në shenjë hakmarrje dhe nervozizëm absurd ndaj votimit të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës, për anëtarësimin e Republikës së Kosovës në këtë institucion”.
“Bllokimi i rreth 300 qytetarëve, duke ua mbajtur pasaportat dhe dokumentacionet e udhëtimit, është shkelje flagrante jo vetëm e marrëveshjeve të Brukselit, por edhe e të drejtave universale të njeriut të garantuara me të gjitha konventat ndërkombëtare. Vetëm regjimet më autoritare i bllokojnë udhëtarët e një vendi tjetër, me shpjegimin ‘ky është një urdhër nga Beogradi’. Duke qenë që Zyra Ndërlidhëse serbe nuk po komunikon me Zyrën tonë, siç ndodhi edhe këtë mëngjes, kam kërkuar dhe jam në pritje të përcjelljes së afërt, që të udhëtojë drejt pikëkalimit Batrovci, për t’ju gjetur pranë bashkëqytetarëve tanë dhe në shenjë proteste ndaj këtij zhvillimi”, ka shkruar Haxholli në Facebook.























