Lirohen qytetarët e bllokuar në pikën kufitare Dheu i Bardhë
Edona Podvorica | RTK
(E plotësuar ora 16:14) Autoritetet serbe kanë liruar qytetarët e ndaluar në pikën kufitare Kosovë – Serbi te Dheu i Bardhë.
Në mesin e të ndaluarve ka qenë edhe një police. Sirije Sadiku ka dhënë detajet e ndalimit për RTK-në, e cila pas qëndrimit në Bujanoc është ndaluar në kufi dhe i është marrë deklaratë nga policia serbe.
“Isha duke u kthyer nga Bujanoci, ku kam qëndruar nga dje. Vetëm ia kam dhënë dokumentet dhe më kanë thënë parkohu këtu. Prej orës 12:30 kam qenë duke pritur, tash dhashë deklaratë dhe më lëshuan”, ka treguar ajo për RTK-në.
Ajo ka thënë se e kanë ndalur vetëm pse është zyrtare policore. Gjatë deklaratës ajo ka thënë se i kanë bërë pyetje se ku punon, çfarë punon, emrat e familjarëve e gjëra të tilla.
“Kam qëndruar për rreth 4 orë këtu duke pritur”, ka konfirmuar ajo për RTK-në.
Sirije Sadiku ka thënë se nuk ka pasur asnjë konfirmim nga institucionet doganore për këtë ndalim dhe marrje në pyetje.
“Asgjë s’na kanë thënë. Kanë qenë edhe plotë të tjerë që kanë pritur si unë dhe janë lëshuar”, ka thënë ajo.

Qarkullimi te Dheu i Bardhë vazhdon, por qytetarët merren në pyetje
Nga mëngjesi ka pasur raste kur policia kufitare e Serbisë te Dheu i Bardhë ka ndaluar qytetarë pa ndonjë arsye, për t’i marrë në pyetje, por kjo pikë kufitare po vazhdon të funksionojë normalisht thonë ekipet e Policisë së Kosovës.
Gazetarja e RTK-së, Edona Podvorica, e cila ndodhet në vendngjarje raporton se ka ngarkesë për shkak të ndalimit të disa veturave, por në këtë pikë kufitare qarkullimi po vazhdon.























