Përfundon takimi në Bruksel, Bislimi e quan “takim të kotë”
Gjeraqina Tuhina/RTK-Bruksel
(E përditësuar 14:45) Ka përfunduar edhe një raund negociatash në Bruksel për BQK-në në nivel kryenegociatorësh, por pa asnjë rezultat. Në këtë raund nuk ka pasur takim të përbashkët, ndërsa kryenegociatori i Kosovës, Besnik Bislimi e ka quajtur “takim koti”.
Bislimi, tha pas takimit tha se pala serbe nuk ka ardhur me ide se si të trajtohet propozimi fillestar i të dërguarit të Bashkimit Evropian, Mirosllav Lajçak. “Ata kanë paraqitur propozimin e tyre", tha Bislimi.
Kryenegociatori i Serbisë, Petar Petkoviq, tha se Beogradi bëri gjithçka për të gjetur një zgjidhje. “Ne dolëm me një propozim konstruktiv dhe ai propozim u vlerësua nga Brukseli, pra Lajçak, si një bazë shumë e mirë për vazhdimin e bisedimeve", tha ai.
Javën e ardhshme pritet të zhvillohet edhe një takim tjetër.
Sot takimi i radhës në Bruksel, zhvillohet pas tensioneve të reja në kufi
Kryenegociatorët e Kosovës dhe Serbisë, Besnik Bislimi dhe Petar Petkoviq pritet të takohen sot në Bruksel, nën ndërmjetësimin e emisarit të BE-së, Mirosllav Lajçak. Mbajtjen e këtij takimi e ka konfirmuar edhe Bashkimit Evropian, ndërsa çështja e dinarit serb do të jetë temë e diskutimit.
Në anën tjetër, ky takim zhvillohet pas tensioneve të reja të krijuara nga pala serbe, me bllokimin e kosovarëve në pikat kufitare të Serbisë.
Kujtojmë se sipas praktikës së mëparshme, takimet nisin në mëngjes ndaras me kryenegociatorin e Kosovës dhe të Serbisë, e më pastaj pritet të ketë një takim trepalësh.
Rundi i fundit i bisedimeve u zhvillua më 4 prill. Pas atij takimi, Besnik Bislimi deklaroi se palët ende kanë dallime të mëdha, ndërkaq Petar Petkoviq tha se Kosova nuk tregoi vullnet për të arritur një marrëveshje për dinarin.
Ndryshe, më 1 shkurt në Kosovë hyri në fuqi një rregullore e BQK-së, e cila ndalon përdorimin e dinarit serb për kryerjen e pagesave. Me rregulloren e BQK-së, euroja është caktuar si valuta e vetme në Kosovë për kryerjen e pagesave.























