446 policë të rinj i shtohen Kosovës
BKT
Foto: Valjeta Shala / RTK
Lajme

446 policë të rinj i shtohen Kosovës

Valjeta Shala | RTK

Policisë së Kosovës iu kanë shtuar 446 pjesëtarë të rinj. Ceremonia e diplomimit të gjeneratës së 59-të të Policisë së Kosovës është mbajtur në sallën “1 Tetori” në Prishtinë.

Presidentja Osmani para kadetëve të diplomuar të policisë ka thënë se nga sot ata janë në mbrojtje të secilit qytetar të Republikës pa dallim.

“Tani e tutje jeni në mbrojtje të secilit qytetar të Republikës sonë pa dallim. Kushtetua e Kosovës është udhërrëfyese e juaja. Ju do t’i bashkoheni radhës së policisë për të ofruar siguri dhe përgjegjësi për ruajtjen e kufirit tonë”, ka thënë Osmani.

Ajo tutje ka thënë se kjo ditë është tejet e rëndësishme për të gjithë dhe në të njëjtën kohë shënon kurorëzimin e mundit të vajzave e djemve të rinj për t’u bërë gardianë të Republikës.

E para e shtetit ka thënë se kërcënimet dhe rreziqet janë përditshmëri e jona, a daj është domosdoshmëri që Republika e Kosovës të jetë anëtare fuqiplotë e INTERPOL-it dhe e EUROPOL-it.

Ndërsa kryeministri i Kosovës, Albin Kurti u shpreh i lumtur që Kosovës po u shtohen policë të rinj.

“Vendit tonë po i shtohen edhe 445 policë të rinj të cilët do t’i shërbejnë Kosovës, duke i dhënë një bazë përforcuese. Nga 445 policët që diplomojnë sot, 345 janë djem, 100 vajza, 357 shqiptarë dhe 88 nga komunitete jo shumicë. Respektoni dhe nderoni uniformën dhe punën e juaj”, ka thënë ai.

E për situatën e fundit policët e rinj i informoi edhe ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla.

“Ju po betoheni sot për  respektim të kushtetutës tonë dhe mbrojtjes së territorit duke i shërbyer Kosovës me profesionalizëm. Këto janë parimet që duhet t’i bartni në punën  tuaj. Mbajtja e zv/drejtorit të policisë nga autoritetet serbe është një akt i paprecedent i Serbisë. Është sulm i drejtpërdrejt”, tha Sveçla.

Në ceremoni të diplomimit morën pjesë personalitete të larta shtetërore dhe ndërkombëtare, familjarë të zyrtarëve policorë që diplomuan dhe eprorë të Policisë së Kosovës. Pas betimit, u shpërndanë edhe certifikatat për të diplomuarit.


MË SHUME NGA Lajme