Shtatë ambasador përgëzojnë Osmanin për suksesin e Kosovës në KiE
BKT
Lajme

Shtatë ambasador përgëzojnë Osmanin për suksesin e Kosovës në KiE

F.Sertolli / RTKlive

Në vazhdën e takimeve lidhur me procesin e anëtarësimit të Kosovës në Këshillin e Evropës, Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka pritur në takim ambasadorë e të ngarkuar me punë nga ambasadat e Suedisë, Austrisë, Holandës, Finlandës, Zvicrës, Luksemburgut dhe Belgjikës.

Në njoftimin për media, thuhet se përfaqësuesit e këtyre shteteve e kanë përgëzuar presidenten  Osmani për suksesin e Kosovës në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës, ndërkaq Presidentja i falënderoi për mbështetjen e madhe në votimin në këtë Asamble.

Më tej, në njoftim thuhet se Osmani nënvizoi rëndësinë e anëtarësimit të Kosovës në Këshillin e Evropës si një hap vendimtar drejt rritjes së efektivitetit të mbrojtjes së të drejtave të të gjithë qytetarëve tanë pa dallim, duke u dhënë atyre qasje në mekanizmat për të drejta të njeriut që i ofron kjo organizatë.

Po ashtu në këtë takim thuhet ë jenë shkëmbyer mendime për rrjedhën e mëtejme të procesit të anëtarësimit të Kosovës në KiE, sikurse edhe sfidave dhe mundësive.

Presidentja Osmani theksoi se mbështetja e këtyre shteteve për Kosovën është e rëndësishme edhe në fazën e fundit, në votimin që mund të mbahet në muajin maj, në Komitetin e Ministrave.

Në këtë kontekst,  Osmani përsëriti përkushtimin e palëkundur të Kosovës për ruajtjen e vlerave dhe standardeve evropiane, duke theksuar progresin e bërë në forcimin e institucioneve demokratike, promovimin e sundimit të ligjit dhe mbrojtjen e të drejtave të njeriut.

Ndryshe, gjatë ditëve në vijim, Presidentja do të takojë edhe përfaqësues të shteteve të tjera anëtare në Këshillin e Evropës.


MË SHUME NGA Lajme