Publikohet raporti vjetor i RTK-së
BKT
Lajme

Publikohet raporti vjetor i RTK-së

RTK

Pas miratimit nga Bordi i RTK-së, është publikuar raporti vjetor i aktiviteteve të transmetuesit publik. Të dhënat dëshmojnë për rritje të prodhimit nga stafi i RTK-së, rritje të prezencës dhe prodhimit online si dhe ulje në kategorinë e pagave.

Në deklaratën hyrëse, kryetari i Bordit të RTK-së, Besnik Boletini i është referuar pronës dhe financimit si dy prej çështjeve kruciale për të cilat Bordi ka kryer punën e vet, duke i miratuar dhe dërguar për trajtim në Kuvend. Duke e cilësuar sfidues operimin me buxhet të pamjaftueshëm, Boletini ka shpalosur angazhimin e organit drejtues të RTK-së për vitin 2023.

“Gjatë punës së këtij njëvjeçari Bordi është kujdesur që shpenzimet të mos tejkalojnë të hyrat. Rrjedhimisht ky është viti i dytë i bordit aktual ku RTK operon pa hyrë në borxhe të reja, ndërkaq në anën tjetër një pjesë e borxhit të trashëguar ndër vite është shlyer. Edhe këtë vit në total RTK kishte 2.3 milionë euro më pak sesa në vitet paraprake. Bordi gjithashtu ka rekomanduar uljen e shpenzimeve në disa kategori dhe ka racionalizuar shpenzimet në përgjithësi. Mjetet e kursyera janë rialokuar në investime kapitale, dhe investime të tjera, veçanërisht në fushën e sportit dhe IT-së”, ka shkruar Boletini

Në pasqyrën e tij, Drejtori i Përgjithshëm, ndër të tjera ka përmendur nisjen e Festivalit të Këngës dhe sigurimin e të drejtave për Ligat e UEFA-së si ndër arritjet kryesore programore për vitin 2023.

‘Mungesa e financimit të qëndrueshëm dhe bazuar në ligj pamundësojnë zhvillim më të hovshëm teknologjik dhe programor, por të dhënat dëshmojnë se edhe më këto pengesa, RTK ka prodhuar më shumë dhe ka qenë më afër publikut. Shembull i këtij konstatimi është se vetëm në kanalin e parë të TV-së, kemi rritje në 8.4% të programeve kulturore dhe edukative dhe se në total skema programore e RTK1 ka 64 emisione që prodhohen nga vet stafi i brendshëm”, ka shkruar drejtori Ahmetxhekaj.

Raporti dëshmon se gjatë vitit 2023, RTK ka operuar me buxhet total prej 10 milionë e 205 mijë euro.

Gjatë muajit maj, menaxhmenti i RTK-së do të zhvillojë debatin me publikun për raportin vjetor.

Me 17 prill, Bordi i RTK-së miratoi raportin vjetor të aktiviteteve të punës së Drejtorit të Përgjithshëm me disa vërejtje, të ndërlidhura me respektimin e skemës programore, reformën dhe njësitë e reja programore, adresimin e konfliktit të interesit për stafin e RTK-së dhe për efikasitetin e marketingut.

Raportin e plotë mund ta lexoni këtu:


MË SHUME NGA Lajme