Bajrami në Kongresin Amerikan lobon për Kosovën, kërkon anëtarësim në NATO
BKT
Lajme

Bajrami në Kongresin Amerikan lobon për Kosovën, kërkon anëtarësim në NATO

M.Sh/RTKLive

Përveç politikanëve shqiptarë që lobojnë për Kosovën dhe çështjen shqiptare në Amerikë, është edhe botuesi i gazetës shqiptaro-amerikane “Illyria” në SHBA, Vehbi Bajrami që po e vazhdonë lobimin për Kosovën në Kongresin Amerikan. Ai një ditë më parë është takuar me disa kongresitë amerikanë dhe ushtarakë, nga të cilët ka kërkuar mbështetje për ushtrinë dhe kapacitetet mbrojtëse të Kosovës.

Siç njofton gazeta shqiptaro-amerikane “Illyria”, Vehbi Bajrami pas disa takimeve në New York, në këto muajt e fundit, dje ka udhëtuar në kryeqytetin amerikan Washington, për një sërë takimesh me kongresistë në zyrat e tyre.

Bajrami u prit nga Jim Himes, kongresist nga Connecticut, anëtari më i lartë i Komitetit të Përhershëm për Inteligjencën dhe anëtar i hershëm i Kaukusit të Interesave Shqiptare në Kongresin Amerikan; Seth Moulton kongresist nga Massachusetts dhe ish-oficer i marinsave amerikanë, anëtar i Komitetit të Dhomës për Shërbimet e Armatosura; Ritchie Torres, kongresist nga New York-u dhe bashkëkryetar i Kaukusit të Interesave Shqiptare; si dhe me Maeve Healy, shefe e stafit dhe këshilltare kryesore e kongresistes Grace Meng, nga New York-u, anëtare e Komitetit të Përcaktimeve, e cila nuk ndodhej atë ditë në Washington.

Në këto takime botuesi i gazetës “Illyria” informoi kongresistët dhe këshilltarët e tyre të afërt për ngjarjet e fundit në Kosovë dhe kërkoi një angazhim më të madh të Kongresit Amerikan në ndihmë të Kosovës.

Ndonëse një nga kongresistët e siguroi se Serbia nuk gëzon mbështetje në Kongres, botuesi Bajrami përsëriti se lënia në harresë e Kosovës dhe Ballkanit mund të ketë pasoja të rënda.

Nga kongresisti Seth Moulton, i Komitetit që mbulon forcat e armatosura amerikane, ai kërkoi në veçanti ndihmë për forcimin e Ushtrisë së Kosovës. Një Kosovë më kapacitete të mëdha mbrojtëse është garanci edhe për interesat amerikane në rajon, ka thënë ai.“Mënyra më e mirë do të ishte forcimi i shpejtë i Ushtrisë së Kosovës dhe anëtarësimi i Kosovës në NATO. Kjo ndalon njëherë e përgjithmonë ambiciet territoriale të Serbisë”, ka thënë Bajrami, i cili me kongresistët e tjerë foli gjerësisht për situatën në Kosovë dhe rolin destruktiv të Serbisë jo vetëm në Kosovë por edhe në Bosnje dhe Mal të Zi.

“Serbia e ka zemrën në Moskë. Ajo do vetëm fondet e BE-së. As politika e as shumica e popullit nuk duan të jenë pjesë e bashkësisë evropiane. Janë të kota përpjekjet e BE-së e të Amerikës që duke e toleruar e përkëdhelur Serbinë shpresojnë se do të heqë dorë nga lidhjet e saj të ngushta me Rusinë dhe Kinën”, tha botuesi shqiptaro-amerikan.

Kongresisti Seth Moulton premtoi se do të bëhej së shpejti anëtar i Kaukusit Shqiptar në Kongres. Të dy, bashkë me kongresistin Jim Himes premtuan se do të bëjnë një vizitë në Kosovë, për të mësuar për situatën dhe nevojat e saj.


MË SHUME NGA Lajme