O`Brien për Asociacionin: Do të bëjmë gjithçka për të përmbushur premtimin
BKT
Foto: Anamari Repiq
Lajme

O`Brien për Asociacionin: Do të bëjmë gjithçka për të përmbushur premtimin

Anamari Repiq, RTK/Beograd

Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq, është takuar me ndihmës-sekretarin amerikan i Shtetit për Evropën dhe Euroazinë, James O`Brien. Zyrtari i DSH-it tha se komuniteti ndërkombëtar po pret që Kosova të realizojë premtimin se do të themelojë Asociacionin e komunave me shumicë serbe. Duke folur për rezolutën për Srebrenicën, diplomati amerikan ka porositur Serbinë që duhet të ballafaqohet me të vërtetën.

Kosova duhet të zbatojë vendimin për formimin e Asociacionit e komunave me shumicë serbe, në mënyrë që serbët në Kosovë të mbrohen. Kështu ka bërë të ditur në Beograd ndihmës-sekretari amerikan i Shtetit për Evropën dhe Euroazinë, James O`Brien, pas takimit me presidentin e Serbisë Aleksandër Vuçiq.

O'Brien theksoi se bashkësia ndërkombëtare do të bëjë gjithçka që Kosova të krijojë Asociacionin, në përputhje me obligimet e saj.

“Kosova premtoi se do ta zbatojë obligimin për themelimin e Asociacionit dhe kjo është me rëndësi kyçe për serbët në Kosovë që të kuptojnë se si do të jetë jeta e tyre. Nëse ekziston shqetësimi se komuniteti ndërkombëtar nuk po e përmbush detyrimin e tij për të ndihmuar në këtë, shpresoj se ne do të bëjmë gjithçka që është në fuqinë tonë për të ndihmuar dhe për të përmbushur premtimin ndaj vetes dhe premtimeve të bëra ndaj të tjerëve”, tha James O'Brien.

Diplomati amerikan ka thënë se po pret që çështja e Asociacionit të jetë një temë edhe në Nju Jork.

“Politika ndërkombëtare mbështetet komunitetit serb në Kosovë në themelimin e Asociacioni e komunave me shumice serbe”, shtoi O'Brien.

 Duke folur për rezolutën për Srebrenicën dhe duke iu referuar kundërshtimit të Serbisë, James O'Brien bëri thirrje për ballafaqimin me të vërtetën. Ai tha se si avokat i ri ka punuar në hulumtimin e krimeve të luftës, duke përfshirë Srebrenicën.

“Në atë kohë forcat e Qeverisë së Serbisë na garantuan sigurinë dhe pastaj përfaqësues të OKB-së ishin me ne derisa ne po kërkonim të vërtetën. Këtë e bëjmë edhe sot dhe duhet të përballemi me të vërtetën. Ne ishim partnerë atëherë dhe duhet të jemi tani”, tha diplomati amerikan.

Presidenti Vuçiq pranoi se për çështjen e Kosovës, Serbia dhe Amerika bien dakord për pak gjëra. Megjithatë, ai ka falënderuar diplomatin amerikan për qëndrimin e tij të qartë se Kosova duhet të formojë Asociacionin.

“Ai angazhim është i madh dhe i fortë dhe ështëe një letër e vdekur për 11 vjet. Po na gënjejnë të gjithë bashkë, edhe Prishtina edhe evropianët. Ndoshta askush nuk na gënjen, por pas 4000 ditësh nuk është bërë asgjë, për dallim nga serbët që kanë bërë gjithçka nga marrëveshja e Brukselit, madje disa gjëra nga marrëveshja e Ohrit”, tha Vuciq.

Presidenti serb tha se zyrtarit amerikan ka treguar se pretendimet për qëllimin e Serbisë për pushtim dhe luftë janë të pavërteta dhe se Serbia ka bashkëpunim të mirë me KFOR-in.

Lidhur me rezolutën për Srebrenicën, presidenti Vuçiq tha se Serbia nuk pajtohen me SHBA-ne për këtë çështje. Sipas tij, Serbia do të kundërshtojë me të gjitha forcat në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së miratimin e Rezolutës për gjenocidin në Srebrenicë, edhe pse “e din se sa e fuqishme është Amerika”.

O'Brien dhe Vuçiq theksuan edhe partneritetin të dy vendeve. Vuçiq tha se është mirë për Serbinë që ka bashkëpunim në rritje bilaterale, politike dhe ekonomike me SHBA-në.


MË SHUME NGA Lajme