Prokuroria e Shtetit: Nuk ka vepër penale kundër të drejtave të votimit
M.Miftari/RTKlive
Përmes një komunikate për medie, Prokurori i Shtetit njofton opinionin publik se gjatë gjithë ditës ka mbikëqyrë procesin e votimit për apo kundër largimit të kryetarëve në katër komunat e Republikës së Kosovës, Leposaviq, Zubin Potok, Zveçan dhe Mitrovicë e Veriut.
“Që nga ora shtatë e mëngjesit të ditës së sotme, prokurorët e shtetit janë angazhuar, në stacione policore të katër komunave gjegjëse, për të mbikëqyrë për së afërmi mbarëvajtjen e procesit të votimit, të cilët ishin në gjendje gatishmërie që të reagojnë në çdo rast ku ka pengim të procesit të votimit. Të njëjtit gjatë gjithë ditës vazhdimisht kanë vizituar qendrat e votimit në katër komunat për të parë për së afërmi ecurinë e procesit të votimit”, thuhet në komunikatë.
Tutje, Prokuroria e Shtetit njofton se pas përfundimit të procesit të votimit dhe mbylljes së vendvotimeve nuk ka të evidentuar asnjë rast nga veprat penale kundër të drejtave të votimit.
Ndryshe, Prokurori i Shtetit, bën të ditur se do të vazhdojë të mbikëqyrë procesin e numërimit të votave deri në përfundimin e këtij procesi.























