Makshana: Raporti i DASH-it pasqyron gjendjen faktike
BKT
Lajme

Makshana: Raporti i DASH-it pasqyron gjendjen faktike

B. Halimi | RTKlive

Korrupsioni dhe mungesa e hetimeve për dhunën në baza gjinore janë përmendur si ndër çështjet më problematike në raportin vjetor të Departamentit të Shtetit Amerikan për Kosovën.

E Lavdim Makshana nga Instituti Kosovar për Drejtësi, ka thënë në “Info Plus” në RTK se raporti i DASH-it vetëm ka  konstatuar gjendjen faktike në të cilën është Republika e Kosovës.

“Thelbi i këtij raporti është se nuk ka pasur ndryshime të rëndësishme. Nuk ka pasur përparim në çështjen e të drejtave të njeriut në Kosovë. Pastaj, çështja e pavarësisë së gjyqësorit, kufizimet sa i përket lirisë së shprehjes dhe lirisë së medias, duke përfshirë këtu edhe dhunën ndaj gazetarëve dhe shpifjet ndaj mediave”, ka thënë Makshana.

Një çështje e rëndësishme për të cilën raporti jep disa konstatime, sipas tij është se gjendja e korrupsionit në Kosovë është serioze.

“Nëse i referohemi raportit pak a shumë është përmbledhje e asaj çfarë në vazhdimësi është paraqitur edhe nga organizatat e shoqërisë civile, përkatësisht nga Instituti Kosovar për Drejtësi. Pavarësisht se mund të konsiderohet se është bërë ndonjë hap aty këtu, gjendja mbetet serioze pasi është vazhdimësi e viteve të kaluara”, ka thënë ai.

Tutje sipas Makshanës problem tjetër, i cili është shpërfaqur në raportin e DASH-it është edhe gjyqësori.

“Edhe pse shumë zyrtarë janë të akuzuar apo janë në bankat e gjykimeve dënimet për ta kanë qenë qesharake. Këtë e thotë edhe raporti i DASH-it, i cili vë në pah se dënimet kanë qenë minimale edhe pse ligji ka paraparë dënime të larta”, ka shtuar ai.

Ai ka thënë se në bazë të këtij raporti përshtypja do të jetë negative sa i përket luftimit të korrupsionit në Kosovë.

“Po shohim se dënimet janë të ulëta, vullneti i qeverisë për ta luftuar korrupsionin nuk është aq serioz sa do të duhej të ishte, për shkak se të paktën këtë vit do të duhej ta kishim një strategji kundër korrupsionit”, ka nënvizuar Makshana.

Ai theksoi se në raportin e DASH-it përmenden edhe sulmet ndaj gazetarëve në veri nga serbët në protestat e dhunshme, si dhe në rastin e Banjskës.


MË SHUME NGA Lajme