Konjufca vlerëson lart kontributin e komunutetit turk në shtetndërtim
BKT
Lajme

Konjufca vlerëson lart kontributin e komunutetit turk në shtetndërtim

B. H. | RTKlive

Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Glauk Konjufca, mori pjesë në organizimin për nder të Ditës Kombëtare të turqve të Kosovës, që u mbajt në Prizren.

Kryeparlamentari duke uruar komunitetim turk për Ditën Kombëtare, shprehu vlerësimin e lart për kontributin e tyre të dhënë në shtetndërtimin e Kosovës.

“Komuniteti turk i Kosovës është shembulli më i mirë se shetet jodomosdoshmërisht  identifikohen vetëm me komunitetin shumicë. Turqit e Kosovës janë komuniteti që shtetin e Kosovës e përjetojnë si shtetin e tyre, sepse kanë kontribuar për pavarësinë e Kosovës dhe po kontribuojnë çdo ditë në forcimin dhe zhvillimin e shtetit të Kosovës”, tha Konjufca, njofton Kuvendi i Kosovës.

Kreu i Kuvendit tha se është shumë krenar që Republika e Kosovës është model rajonal dhe evropian i trajtimit të barabartë konstitucionalisht e politikisht të të gjitha komuniteteve.

Kryetari Konjufca tha se Kosova garanton të gjitha të drejtat dhe liritë për të gjitha komunitetet për të kultivuar identitetin e tyre etnik e kombëtar, gjuhësor e kulturor.

Kryeparlamentari theksoi se qytetarët turq të Republikës së Kosovës janë plotësisht të integruar, jo vetëm në jetën politike e institucionale, por në çdo sferë të jetës shoqërore, ekonomike, kulturore, arsimore, etj.

“Kjo bashkëjetesë paqësore e vëllazërore e komunitetit turk me komunitetin shqiptar, si dhe me komunitetet tjera, ishte një urë e fuqishme e lidhjes dhe bashkëpunimit ndërmjet Kosovës dhe Turqisë”, tha kryetari Konjufca, duke shtuar se marrëdhëniet e Kosovës me Turqinë janë strategjike, si një vend mik i shqiptarëve dhe një aleat i rëndësishëm i NATO-s.

Konjufca vlerësoi lart angazhimin e partive politike turke në Kuvendin e Kosovës në interes të përgjithshëm shtetëror të Kosovës, si dhe falënderoi delegacionin e Republikës së Turqisë për mbështetjen e sinqertë dhe të fuqishme në procesin e anëtarësimit të Kosovës në Këshillin e Evropës.

Në këtë organizim morën pjesë edhe deputetë, ministra dhe zëvendësministra të Qeverisë të Kosovës, zyrtarë të qeverisë turke, ambasadori i Turqisë në Kosovë, Sabri Tunç Angili, si dhe mysafirë të shumtë.


MË SHUME NGA Lajme