Analistët: Anëtarësimi në KiE mund të kushtëzohet me Asociacionin
Kosovare Gashi/RTK-Radio
Për t’u anëtarësuar në Këshillin e Evropës, kur pritet që vendimi të merret në muajin maj, Kosova mund të përballet edhe me kushtin për formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe. Kështu vlerësojnë njohës të rrethanave politike në vend, të cilët konsiderojnë që ky kusht nuk do të duhej të ndodhte në këtë fazë.
Kosovës ka gjasa që para anëtarësimit në Këshillin e Evropës, t’i kërkohet formimi i Asociacionit të komunave me shumicë serbe. Kështu vlerësojnë njohës të rrethanave politike në vend. Arton Demhasaj nga “Çohu”, për Radio Kosovën ka thënë se pas trysnisë që faktori ndërkombëtar po bënë mbi Kosovën për themelimin e asociacionit, mund të jetë kusht që para anëtarësimit në Këshillin e Evropës, Kosova të fillojë procedurat për formimin, që nënkupton miratimin në Qeveri.
“Para vendimit final që është në Këshillin e Ministrave të Këshillit të Evropës mund të vendoset kushti që Kosova të fillojë procedurat jo për themelimin, sepse themelimi i asociacionit do kohë, por që t’i fillojë procedurat për formimin e asociacionit e që më pas të anëtarësohet në Këshillin e Evropës”, ka deklaruar Demhasaj.
Analisti tjetër, Dorajet Imeri, konsideron se kjo kërkesë ndaj Kosovës do të ishte e njëanshme nga ndërkombëtarët, pasi nuk po bëhet trysni ndaj Serbisë.
“Është kërkesë dyfytyrëshe prej kujtdo që e kërkon nga Kosova që t’i plotësojë pikat e marrëveshjes, dhe në anën tjetër nuk bëhet presion te Serbia për të pranuar si të tillë marrëveshjen e arritur në Bruksel dhe aneksin e saj në Ohër. Kjo është kërkesë e lartë për Kosovën, dhe assesi nuk do të duhej të ndodhte në këtë fazë”, ka thënë Imeri.
Kosova kohëve të fundit është përballur me trysni nga ndërkombëtarët për zbatimin e plotë të marrëveshjeve ndërkombëtare, me theks të veçantë themelimin e asociacionit të komunave me shumicë serbe. Këtë e ka kërkuar edhe presidenti i Francës, Emauel Macron, gjatë një bisede telefonike që ka pasur të martën me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti.























