Freedom House kritik për sundimin e ligjit e luftën kundër korrupsionit
BKT
Lajme

Freedom House kritik për sundimin e ligjit e luftën kundër korrupsionit

Arbresha Berisha|RTK

Pas raportit të Departamentit Amerikan të Shtetit, edhe ai i “Freedom House” e ka nxjerrë Kosovën keq sa i përket sundimit të ligjit e luftës kundër korrupsionit.

Vendi ka marrë 38 pikë nga gjithsejtë 100, derisa është konsideruar si regjim tranzicional ose hibrid.

Ndërsa nga gjithsejtë 7 pikë, Kosova u vlerësua me 2.25 sa i përket luftës kundër korrupsionit.

“Beteja kundër korrupsionit mbetet një sfidë e madhe. Edhe pse Kosova është në proces të hartimit të një strategjie të re kundër korrupsionit, progresi i saj është përballur me bllokada të shumta, ku kryeministri Kurti ia atribuon vonesat ndërhyrjes së opozitës”, citohet në raport.

Këtu përmenden edhe dyshimet për keqpërdorim me rezervat shtetërore.

“Vetë qeveria Kurti u përball me një skandal korrupsioni në vitin 2023, që përfshinte rezerva shtetërore të pallogaritura, të cilat janë ende nën hetim. Shqetësime ka ngritur edhe largimi i shefit të Njësisë së Hetimeve Speciale të Policisë së Kosovës më 8 korrik, duke vënë në dyshim përkushtimin e Kosovës për ta luftuar korrupsionin. Pavarësisht fushatës për një platformë antikorrupsion, qeveria Kurti ka demonstruar përparim të kufizuar në këtë çështje”, thuhet tutje në raport.

Raporti po ashtu përmend edhe akuzat për emërimin e Blerim Isufajt në krye të Prokurorisë Speciale, e humbjen e mostrave të Astrit Deharit.

Sfiduese vlerësohet se ka qenë edhe qeverisja kombëtare në Kosovë, pasi e njëjta, siç citohet, u sfidua nga bojkoti i opozitës e tërheqja e Listës Serbe nga institucionet e Kosovës.

Këtu përmenden edhe tensionet në veri të vendit.

“Në shtator 2023, përshkallëzimi i tensioneve çoi në një incident të madh të sigurisë në veri të Kosovës. Sulmi i Banjskës rezultoi me vdekjen e një oficeri të Policisë së Kosovës nga duart e sulmuesve të armatosur. Qeveria e Kosovës pretendoi se sulmi ishte i lidhur me autoritetet në Beograd dhe e cilësoi atë si sulm terrorist që synonte t'ia hapte rrugën Serbisë për ta aneksuar veriun”, citohet në raport.

“Freedom House” ka përmendur edhe Listën Serbe, partinë më të madhe serbe në Kosovë.

Kjo organizatë e njohur me seli në Uashington, ka theksuar se Lista Serbe ka lidhje të forta me qeverinë në Beograd e si pasojë, votuesit serbë i bojkotuan zgjedhjet si akt proteste.

Raporti ka nënvizuar edhe lirinë e kufizuar të shprehjes të mediave në Kosovë, ku ka përmendur kërcënimet ndaj përfaqësueseve të tyre e sulmet në veri.

“Pavarësisht peizazhit të larmishëm të mediave në Kosovë, përfshirë stacionet televizive, një kanal televiziv publik, radiostacione dhe portale të shumta të mediave online, liria e përgjithshme e fjalës dhe e shprehjes është deri diku e kufizuar dhe ka pasur incidente dhe tendenca shqetësuese në vitin 2023. Shumë media shfaqin hezitim për t’u angazhuar në mbulimin kritik të qeverisë”, thuhet në raport.

Në raport është përmendur edhe një hulumtin i një prej mediave në Kosovë për diskriminim gjinor në procese rekrutuese për pozita të larta në televizonin publik.

Problemet e njëjta u shpërfaqën vetëm një ditë më parë, edhe në raportin e publikuar nga Departamenti Amerikan i Shtetit.


MË SHUME NGA Lajme