Zëvendësministrja Gashi pret delegacionin nga Çekia, flasin për sigurinë
BKT
Lajme

Zëvendësministrja Gashi pret delegacionin nga Çekia, flasin për sigurinë

Gentiana Kelmendi|RTKlive

Zëvendësministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Liza Gashi priti sot në takim delegacionin nga Çekia, të kryesuar nga nënkryetari i Senatit të Parlamentit të Republikës së Çekisë, Tomáš Czernin dhe kryetari i Komisionit për Punë të Jashtme, Mbrojtje dhe Siguri, Pavel Fischer.

Siç thuhet në njoftimin e MPJD-së, në këtë takim u diskutua për çështjet e sigurisë dhe stabilitetit në rajon, projektet e përbashkëta në mes Kosovës dhe Çekisë, si dhe mundësinë e përfitimit nga përvoja çeke për avancimin e procesit të anëtarësimit të Kosovës në Bashkimin Evropian.

"Zëvendësministrja Gashi falënderoi përfaqësuesit e Çekisë për përkrahjen e vazhdueshme që ka ofruar për Kosovën, veçanërisht angazhimin për procesin anëtarësimit në Këshillin e Evropës, procesin e liberalizimit të vizave si dhe mbështetjen e pakursyer në rrugëtimin e vendit drejtë anëtarësimit në mekanizmat tjerë ndërkombëtar.

Nga ana tjetër, z. Czernin dhe z. Fischer vlerësuan progresin që Kosova ka arritur gjatë viteve të fundit, konsolidimin e demokracisë, forcimin e shtetit të së drejtës dhe respektimin e të drejtave të njeriut. Po ashtu u vlerësua fakti që Kosova ka qëndruar përkrah vendeve demokratike kundër agresionit rus në Ukrainë", thuhet në njoftim.

Theksohet se në mbyllje të takimit, palët u pajtuan për thellim të bashkëpunimit në sferën e ekonomisë, tregtisë, kulturës, sigurisë si dhe sfera të tjera me interes të përbashkët.

 


MË SHUME NGA Lajme