Për punësime në BSPK, përplasen tri sindikata me kryetarin Hykolli
Valjeta Shala/RTK
Drejtues të tri sindikatave u bënë bashkë dhe thanë se po ndajnë hallin e njëjtë. Të gjithë akuzojnë kryetarin e Bashkimit të Sindikatave të Pavarura të Kosovës, Atdhe Hykollin, për veprime dhe vendime të paligjshme, përfshirë edhe punësime.
"Sot isha BSPK dhe në punë paraqitet një pensionist Ali Caka, si këshilltar i kryetarit të BSPK-së, Atdhe Hykollit. Nga ardhja e Hykollit ai merr pagë 12.540 euro. Kontrata e dytë është Fitore Osmani, reja Ymer Ymerin, anëtar i SBASHK-ut", deklaroi Selatin Sadiku, kryetar i Sindikatës së Punëtorëve të KEK-ut/nënkryetar BSPK-së.
Edhe Ali Gashi, kryetar i Sindikatës së Administratës së Kosovës tha se kjo sindikatë nuk ka qenë e informuar për këto punësime.
"Ne nuk e patëm ndalë grevën, ajo u ndalë në mënyrë arbitrare e me pazare politike mes qeverisë dhe Atdhe Hykolli", deklaroi Nexhat Llumnica, kryetar i Sindikatës së Re të KEK-ut.
Por, në një përgjigje me shkrim për RTK-në, kryetari i BSPK-së, Atdhe Hykolli, tha se dy nga këto tri sindikata nuk janë më anëtare sepse e kanë humbur me automatizëm të drejtën, për shkak të mospagesës së kuotizacionit të anëtarësisë në BSPK.
Hykolli rikujton se statuti i BSPK-së ia mundëson kryetarit që të angazhojë këshilltarë profesionalë për nevoja të tij dhe të Bashkimit të Sindikatave. Ai deklaron se Ali Caka është angazhuar në cilësinë e këshilltarit profesional të kryetarit e Fitore Osmani për nevoja të BSPK-së.
Ndryshe, zgjedhjet e reja brenda BSPK-së pritet të mbahen në fund të vitit 2025.























