SBASHK-u nesër në protestë, kërkesë edhe zbatimi i kontratës kolektive
V.Thaçi / RTKlive
Sindikata e Bashkuar e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë (SBASHK), ka paralajmëruar se nesër më 1 maj, do të organizojë një protestë para ndërtesës së Qeverisë së Kosovës.
Vjollca Shala, nënkryetare e SBASHK-ut, në "Lajmet e fundit" në RTK, tha se përmes protestës sindikalistët do të shprehin pakënaqësitë e tyre në lidhje më adresimin e kërkesave të punëtorëve të arsimit.
Ajo tha se në këtë protestë janë të ftuar vetëm udhëheqësit sindikalë të shkollave dhe kryetarët e sindikatave të niveleve komunale dhe kryesia e SBASHK-ut.
Sipas saj, në këtë protestë paqësore do të marrë pjesë edhe Federate e Punëtorëve Teknikë të Sektorit Privat e udhëhequr nga kryetari Jusuf Azemi.
“Tubimi i protestuesve nga ora 10:30 deri në 11:00, në oborrin e Bibliotekës Kombëtare, dhe pastaj do të fillohet me marshim deri tek ndërtesa e Qeverisë së Kosovës”, tha ajo.
Shala tha se kërkesat që do të parashtrohen në protestë janë: dialogu social me qeverinë dhe përkatësisht me Ministrinë e Arsimit.
“Urojmë që të fillojë dialogu, ashtu si filloi sot mbajtja e një takimi me zëvendësministrin dhe të vazhdojë edhe me tutje në mënyrë që të kemi mundësi t’i adresojmë kërkesat e punëtorëve të arsimit, ngase ne jemi zëri i tyre”, tha Shala.
Kërkesë tjetër e protestës Shala tha se do të jetë zbatimi i kontratës kolektive, pa pasur nevojë që punëtorët e arsimit të shkojnë përmes gjykatave, duke shtuar se, po ashtu, do të kërkohet nënshkrimi i një aneks-kontrate kolektive dhe që ndryshimi i ligjeve mos të bëhet në dëm të punëtorëve dhe në veçanti të punëtorëve të arsimit.
“Të zbatohet vendimi i Gjykatës Kushtetuese që ka të bëjë me përvojën e punës dhe pagesën për një vit të përvojës së punës prej 0.5% edhe për 15 vjetët e para të bëhet shkurtimi i normës së punëtorëve të arsimit në 18 orë, ashtu siç e kanë edhe shumë shtete të regjionit. Kërkesë tjetër është edhe funksionalizimi i këshillit ekonomik social”, tha Shala.
Tutje ajo shtoi se urojnë që kërkesat të zgjidhen me Ministrinë e Arsimit e që mos të ketë nevojë të shkojnë në grevë.























