Murati: Më 2019 fjala ‘korrupsion’ u përmend 24 herë, më 2023 12 herë
BKT
Lajme

Murati: Më 2019 fjala ‘korrupsion’ u përmend 24 herë, më 2023 12 herë

V, Thaçi & K.Kasumi /RTKlive

(E plotësuar) Ministri i Financave, Hekuran Murati, në seancën plenare në të cilën është duke u shqyrtuar Projekt-rezoluta për adresimin e gjetjeve të Raportit të Departamentit Amerikan të Shtetit, ka thënë se ky në Raportin e DASH-it, për vitin 2023, fjala ‘korrupsion’ përmendet 12 herë, ndërsa në vitin 2019 është përmendur 24 herë.

Murati tha se ky raport është ndikuar dhe ka rënë pre e dezinformatave të mediave dhe organizatave të shoqërisë civile që sipas tij, janë pjesë e gardës së vjetër.

“Në vitin 2023 fjala korrupsion në raportin e DASH-it përmendet 12 herë. Në vitin 2019 ka qenë 24 herë e përmendur, sipas raportit të DASH-it në suaza kuantitative ka përgjysmim së paku. Dhe ne e mirëpresim këtë vlerësim që së paku ka përgjysmim të korrupsionit.

Sipas tij nëse hyhet në cilësi duke i analizuar fjalët dhe fjalitë se çka shkruan aty, shihet se në disa raste edhe vet raportuesi apo kushdo që e ka hartuar raportin, ka ra pre edhe e dezinformatave të mediave të cilat siç tha ai janë pjesë e gardës së vjetër, “dhe e disa organizatave të shoqërisë civile të cilat thirren të tilla por në fakt janë zgjatime të gardës së vjetër”, ka thënë Murati.

Ai sqaroi se pas një viti hetimesh është mbyllur dosja dhe ka thënë se nuk ka asnjë dyshim për shkelje të ligjit.

“Është ndaluar hajnia, tash kemi shtesa për fëmijë. Është ndalur hajnia, tash kemi shtesa për lehona. Është ndalur hajnia, është rritur buxheti për ushtri. Është ndalur hajnia, ka pasur bursa për gra. Është krijuar Super Puna e shumë e shumë masa të tjera”, tha, pos tjerash, ministri Murati

Tahiri: Ta shpërndajmë këtë Kuvend, të shkohet në zgjedhje të reja

(E plotësuar) Shefi i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës, Abelard Tahiri, në seancën plenare në të cilën është duke u shqyrtuar Projekt-rezoluta për adresimin e gjetjeve të Raportit të Departamentit Amerikan të Shtetit-DASH, e ka kritikuar kryeministrin Albin Kurti për mosprezencën në këtë seancë.

Sipas Tahirit një e treta e kësaj Qeverie janë nën hetime për afera korruptive dhe se Kuvend duhet që të diskutojë datën e zgjedhjeve. Ai ka kërkuar konsensus për shpërndarjen e këtij Kuvendi dhe dërgimin e vendin në zgjedhje të reja

 “Një e treta e kësaj Qeverie janë nën hetime për afera korruptive. 5 ministra të kësaj Qeverie  dhe një zëvendëskryeministre dhe zëvendësministre të dënuar nga kapitulli i veprave për korrupsion. Pra e gjithë kjo situatë në vendin tonë që është krijuar si rezultat i kësaj Qeverisje me nivel të lartë të korrupsionit e dëshmon edhe një herë atë që kemi kërkuar në vazhdimësi si PDK. Ky Kuvend duhet që të mblidhet dhe të diskutojë datën e zgjedhjeve”, ka thënë ai.

Sipas Tahirit ky Kuvend është shndërruar në një barrierë për të mbrojtur të korruptuarit në vendin tonë dhe se asnjëherë, sipas tij, nuk ka pasur një Qeveri që bën rezistencë më të madhe për të themeluar Komisionet Hetimore për aferat korruptive.

“Ju bëj thirrje që sa më parë ta kemi konsensusin ta shpërndajmë këtë Kuvend dhe ta dërgojmë vendin në zgjedhje”, ka thënë Tahiri.

Kusari -Lila: Raporti i DASH-it ka lëshime dhe pasaktësi

Kryetarja e GP të LV-së, Mimoza Kusari Lila, ka thënë se po debatohet për një raport të rregullt të DASH-it, por që, sipas saj, është hera e parë që për të diskutohet në një seancë plenare me argumentimin se gjetjet janë dramatike.

K.Kasumi / RTKlive

Fillimisht ajo tha se sa i përket korrupsionit në qeveri nuk flitet për ngritje të aktakuzave, por vetëm për kallëzime.

“Bazuar në numrin e madh të kallëzimeve penale, nuk flitet për ngritje të aktakuzave sepse nuk ka të tilla, as për procese gjyqësore, as dënime për korrupsion. Sa iu përket dy dënimeve me emër që janë për ministren e Tregtisë dhe Industrisë, Rozeta Hajdari, dhe zëvendësen e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Liza Gashi, kemi të bëjmë me fjalën vonim të deklarimit të pasurisë”, theksoi Kusari-Lila.

Sipas saj, raporti i DASh-it nuk e bën ndarjen cilësore të akterëve për të cilët AGK tregon që kanë sulmuar gazetarët.

“Te liria e medieve për vitin 2023, fatkeqësisht, raporti i DASh-it nuk bën ndarjen cilësore të akterëve për të cilët AGK-ja pretendon se kanë sulmuar gazetarët, por raportimet jepen si numër i përgjithshëm”, tha ajo.

Ajo ka shtuar se raporti i Departamentit Amerikan të Shtetit për të Drejtat e Njeriut, i publikuar ditë më parë, ka lëshime dhe pasaktësi.

“Një element shqetësues mbetet siguria e grave dhe parandalimi i vrasjeve. Raportet në vazhdimësi u referohen dënimeve të ulëta apo dështimeve të gjyqësorit. Për këtë arsye vettingu duhet të jetë prioritet”.

Fatkeqësisht, raporti ka lëshime dhe pasaktësi. Pasaktësi janë te evidentimi i numrit të grave në pozita udhëheqëse, ministrore dhe jetën ekonomike”, ka thënë ajo.

Zemaj: Raporti rrënoi propagandën e pushtetit për luftim të korrupsionit

Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Armend Zemaj, deklaroi se raporti i Departamentit Amerikan të Shtetit (DASH) ka rrënuar propagandën e pushtetit për luftim të korrupsionit.

V. Thaçi /RTKlive

Ai tha se Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë vulosur se Qeveria Kurti janë hajna të certifikuar.

Deputeti i LDK-së shtoi se partia në pushtet po akuzon policinë e prokurorinë, ndërkohë që është e zhytur në afera e tenderë sekret.

 “Raporti i Departamentit Amerikan të Shtetit shihet qartë që rrënoi për tokë një propagandë të shumicës se kemi luftuar korrupsionin. Në fakt jo po i luftoni ata që po e luftojnë në të vërtetë korrupsionin. Tani kur po kemi raportin e DASH-it, i cili veçse ka konfirmuar secilin shqetësim tonin si LDK, tani me vulën e SHBA-ve jeni hajna të certifikuar. Sepse qeveria juaj, pra qeveria që erdhi në pushtet për ta luftuar korrupsionin po emërtohet korrupsion serioz qeveritar. Kjo nuk mund të ishte ndryshe kur vjedhni në bukë e grurë të rezervave shtetërore e kur kapeni në flagrancë i ikni përgjegjësisë. Nuk pranoni as të hetoni përmes mekanizmave kuvendarë parlamentar, sulmoni e etiketoni, akuzoni prokurorinë, policinë, lëshoni militant në mbrojtje, por besoj që nuk mund të ikni”, deklaroi ai.

Besnik Tahiri: Qeveria ka marrë goditjen më të madhe në vitin e fundit

Shefi i Grupit Parlamentar të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Besnik Tahiri, gjatë seancës së Kuvendit ku u fol për shqyrtimin e Projekt-rezolutës për adresimin e gjetjeve të Raportit të Departamentit Amerikan të Shtetit, ka thënë se Qeveria e kryeministrit Albin Kurti ka marrë goditjen më të madhe në vitin e fundit.

“Sot në trajtim të kësaj seance po e trajtojmë një raport i cili vjen nga një vend mik, që vjen nga DASH-i një institucion që përgjatë viteve prodhon raporte të ngjashme, po njëkohësisht edhe evidenton gjendjen ne teren jo vetëm të shtetit të Kosovës mirëpo edhe të shteteve të tjera të cilat kanë interes. Tani çka duhet ti themi sot qytetarëve të Kosovës e çka duhet ti themi anëtarëve të kabinetit të kësaj Qeverie; tha ai.

Ai tha se jemi në muajt e fundit të një mandati 4 vjeçar dhe ajo çka mund të thuhet si konstatim i parë në emër të grupit që përfaqëson është se Qeveria e kryeministrit Albin Kurti ka marrë goditjen më të madhe në vitin e fundit duke evidentuar ndër to tri probleme shumë serioze që përgjatë rrugëtimit të kësaj qeverie dhe kabineti kanë qenë subjekt i diskutimit, validimit dhe i trajtimit jo vetëm të kuvendit mirëpo edhe të shoqërisë civile.

“Mendësia e një degradimi kurrë nuk mundet me u pa nga ata që janë pjesë e saj. Madhësia e dështimit e ka emrin autoritarizëm, pra në vend të dritës i tërë kabineti qeveritar është e rrethuar me terrin e arbitraritetin dhe arrogancën për këto tri vite”, ka thënë Tahiri.

Nis seanca për shqyrtimin e projekt-rezolutës rreth raportit të DASH-it

(E plotësuar) Kuvendi i Kosovës ka filluar seancën e dytë plenare për shqyrtimin e Projekt-rezolutës për adresimin e gjetjeve të Raportit të Departamentit Amerikan të Shtetit, si dhe votimin e disa marrëveshjeve ndërkombëtare.

Pas seancës solemne, e cila u mbajt në nderim të rënies së komandantit të UÇK-së, Ilaz Kodra, dhe 315 dëshmorëve e martirëve, të rënë më 30 prill 1999 në Drenicë, ka filluar një seancë tjetër në Kuvendin e Kosovës.

Seanca e dytë për sot, ka nisur me rreth gjysmë ore vonesë.

Në këtë seancë, në rend dite është shqyrtimi i Projekt-rezolutës për adresimin e gjetjeve të Raportit të Departamentit Amerikan të Shtetit.

Më pas, në rend do të jetë edhe votimi i disa marrëveshjeve ndërkombëtare.

Kuvendi nderon heroin Ilaz Kodra, ishte patriot i devotshëm

(E plotësuar) Kuvendi i Kosovës ka mbajtur seancë solemne në nderim të rënies së komandantit të UÇK-së, Ilaz Kodra, dhe 315 dëshmorëve e martirëve, të rënë më 30 prill 1999 në Drenicë.

E. Podvorica & E. Avdiu /RTK

Presidentja Vjosa Osmani ka thënë se 25-vjet më parë fshatrat, Vërboc, Shtuticë, Tërstenik, Dashec, Baks e Gllobar, u ndodhën në egërsinë e regjimit gjenocidal të Serbisë, në një ofensivë, e cila kishte të vetmin qëllim, shfarosjen e shqiptarëve në këtë anë dhe spastrimin etnik.

“Banorëve të këtyre fshatrave në mbrojtje iu vu UÇK-ja, në krye me Ilaz Kodrën dhe bashkëluftëtarët, të cilët me trimëri e guxim rezistuan deri në flijim. Bashkëluftëtari i komandantit legjendar Adem Jashari, Ilaz Kodra në këtë përpjekje për mbrojtje të popullsisë civile bie heroikisht në fushëbetejë bashkë me 42 luftëtarë të UÇK-së. Ai ndoqi idealin e komandat Ademit, duke e konsideruar lirinë si vlerë të panegociueshme dhe sublime të popullit të tij, ndaj u përjetësua”, ka theksuar Osmani.

Sipas saj, heroi Ilaz Kodra, ëndrrën për liri e kishte farkëtuar qysh në rininë e tij, duke iu rrekur aktivitetit patriotik për liri e shtet.

“Si një patriot i devotshëm, ai u shndërrua në dorën e djathtë të komandantit Adem Jashari, ndaj bashkë me të dhe shumë bashkëluftëtarë të tjerë jo vetëm që themeluan bërthamën e UÇK-së, por edhe zhvilluan trajnime ushtarake në Shqipëri”, ka theksuar e para e vendit.

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, ka theksuar se komandanti Ilaz Kodra, bënë pjesë në grupin e patriotëve të UÇK-së, që e panë të parët lirinë e atdheut.

“Kontributi për organizimin e strukturimin e luftës së UÇK-së është i hershëm dhe vazhdoi deri ne rënien e tij, si një nga shokët e pandarë të Adem Jasharit, pas rënies se Xheva e Fehmi Lladrovci, ai mori në drejtim organizimin e zonës. UÇK është kapitulli më i ndritur i historisë sonë, të shekullit të 20-të”, ka thënë Konjufca.

Kryeministri i vendit, Albin Kurti, duke përshkruar aktivitetin patriotik të Ilaz Kodrës, ka theksuar se heroizmi i tij është stampuar në historinë e re të Kosovës.

“Po e kujtojmë sot një ditë para ditëlindjes së tij kur ai do të bëhej 58 vjeç, i përjetshëm do të jetë kujtimi e heroizmi i Ilaz Kodrës, i përjetshëm do të jetë sakrifica e luftës së UÇK-së për lirinë e vendit”, ka thënë Kurti.

Deputetja e PDK-së, Blerta Deliu Kodra, njëherësh pjesë e familjes së heroit të kombit Ilaz Kodra, tha se sot po e nderojmë një epokë së cilës i takon edhe Ilaz Kodra, ku krenaria e mund dhimbjen.

“Lufta për liri është stadi më i lartë i jetës, Ilaz Kodra nuk luftoj vetëm për te çliruar token e Kosovës, por edhe shpirtin e saj”, ka theksuar Deliu-Kodra.

Nis seanca në nderim të rënies së komandantit Ilaz Kodra dhe 315 dëshmorëve

Kuvendi i Kosovës ka filluar seancën solemne në nderim të rënies së komandantit të UÇK-së, Ilaz Kodra, dhe 315 dëshmorëve e martirëve, të rënë më 30 prill 1999 në Drenicë.

Në këtë seancë të pranishëm janë presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, kryeministri Albin Kurti, familjarë të komandantit Kodra, kryetari i Skenderajt, Fadil Nura, ish-kryetari i Skenderajt, Sami Lushtaku.

Seanca ka filluar me intonimin e himnit shtetëror dhe kombëtar.


MË SHUME NGA Lajme