Gërvalla: Sakrifica e gazetarëve vetëdijësoi botën për të ndalur gjenocidin
V.Th. / RTKlive
Ministrja e Jashtme Donika Gërvalla, ka thënë se pa punën vetëmohuese dhe sakrificën e gazetarëve vendorë dhe atyre ndërkombëtarë, bota do të ishte në terr për krimet dhe masakrat e tmerrshme të Serbisë ndaj popullatës civile në Kosovë gjatë viteve të luftës.
Kryediplomatja ka pritur në takim Julius Strauss, Vaughan Smith dhe reporterë e kameramanë të tjerë për të cilët thotë se arritën që, pavarësisht rreziqeve, ta informojnë botën rreth krimeve dhe gjenocidit serb në Kosovë dhe me pamjet e intervistat e tyre, shtoi ajo, vërshuan botën duke treguar tmerrin që po përjetonin qytetarët e Kosovës dhe që zgjuan ndërgjegjen ndërkombëtare dhe vetëdijesuan botën se sa urgjente ishte ndërhyrja për ta ndalur gjenocidin në Kosovë.
Tutje Gërvalla ka thënë se informimi i drejtë i gjeneratave të reja rreth luftës së fundit në Kosovë është një domosdoshmëri, e cila kërkon përkushtimin e institucioneve, studiuesve, sistemit të arsimit, mediave dhe shoqërisë në përgjithësi.
Ajo ka falënderuar ata për kontributin e tyre në informimin e botës rreth masakrës në familjen Deliu, luftën me 5,6 dhe 7 mars të familjes Jashari, masakrën e Reçakut dhe shumë masakra e krime tjera në Kosovë.























