Kryetari i AGK-së: Sulmet ndaj gazetarëve në rritje, të ndryshohet kursi
BKT
Lajme

Kryetari i AGK-së: Sulmet ndaj gazetarëve në rritje, të ndryshohet kursi

V.Th/RTKlive

Kryetar i Asociacionit të Gazetarëve të Kosovës, Xhemaj Rexha i ftuar në “Lajmet e fundit” në RTK ka thënë se raporti i “Reporterëve pa Kufij” është alarm për shoqërinë dhe institucionet e vendit.

Kryetari i AGK-së ka deklaruar se raporti “Reporterëve pa Kufij” duhet të jetë alarm për institucionet dhe Qeverinë e Kosovës, të cilët sipas tij, kanë kontribuar për të keq.

“Institucionet dhe Qeveria e Kosovës kanë kontribuar për të keq që Kosova të shënojë këtë rënie drastike e të paparë në dekadën e fundit, me renditjen më të keqe në dhjetë vitet e fundit, që nga 2014”, ka thënë ai.

Sipas tij, vlerësimi i “Reporterëve pa Kufij” duhet të jetë një alarm që gjërat të ndryshojnë “që ata të cilët kanë kontribuuar që Kosova të vijë në këtë gjendje ta ndërrojnë kursin”. Rexha, po ashtu u shpreh se sulmet nga njerëzit e pushtetit ndaj gazetarëve gjatë këtij viti kanë qenë në rritje.

“Nisin nga Qeveria e Kosovës dhe nga vet kryeministri Kurti, i cili pas tensioneve në veri ju ka thënë gazetarëve se këto janë pyetje të porositura nga Serbia. Sulmet ndaj gazetarëve nuk vijnë vetëm nga qeveria, por edhe nga deputetët e Kuvendit, si dhe nga Zyra e Presidencës së Kosovës”, ka thënë Rexha për RTK.

Kreu i AGK-së, ka folur edhe për gjuhën përdorur nga deputeti, Dimal Basha në studion e RTK-së. Sipas tij, kjo gjuhë e vërteton ato çka ka thënë AGK.

“Nuk ka dëshmi më të mirë për të keq, gjithsesi nuk ka dëshmi më të mirë për të mbrojtur argumentet tona e të asaj që po i themi vazhdimisht e që qeveria po e mohon se sa intervista e zotit Basha në studiot e RTK-së. Sulmi publik ndaj gazetares Blerta Foniqi-Kabashi në televizionin publik është i papranueshëm dhe një sjellje që nuk i përkon një deputeti. Është një presion i hapur edhe ndaj gazetares edhe ndaj televizionit publik. Ai provoj t;i tregoj koleges Foniqi-Kabashi se si duhet të mendojë RTK-ja, cilat duhet të jenë prioritetet në RTK, si duhet të raportoj, e si duhet ta bëjë politikën editoriale. Pra, ai i tha ju nuk duhet ta përmendeni Asociacionin, nuk duhet të bëni asnjëherë pyetje për Asociacionin, sepse Asociacioni nuk është prioritet i Qeverisë të Kosovës”, ka theksuar Rexha.

Sipas tij, pyetja e gazetares ishte krejt legjitime, për derisa faktori ndërkombëtar vazhdon ta përmend si parakusht të mundshëm dërgimin e draftit të statutit të Asociacionit në Gjykatë Kushtetuese.

"Çdo ditë dhe çdo kujt që vjen nga qeveria dhe partia politike në pushtet mund t’ia bëjmë këtë pyetje: (a do ta dërgoni, a do ta rrezikoni anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës nëse nuk e përmbushni këtë kusht të cilin e përmend Gjermani, Franca, Shtetet e Bashkuara të Amerikës). Kjo është në vazhdën e sulmeve që zoti Basha shquhet si individ për sulme ndaj medieve”, ka thënë ai.

 


MË SHUME NGA Lajme