Kurti: Zvogëlimi i barrës administrative është prioritet i Qeverisë
Edona Podvorica / RTK
Kryeministri, Albin Kurti, po merr pjesë në konferencën kushtuar zvogëlimit të barrës administrative të komunitetet joshumicë në Kosovë. Kurti ka thënë se zvogëlimi i barrës administrative është prioritet i qeverisë që ai drejton dhe se do ta mbështes atë, në mënyrë që të gjithë qytetarët të marrin shërbime administrative, pa dallim.
“Është hera e parë që po bisedojmë për këtë temë, pas shumë takimeve që kemi pasur, pra për barrën administrative dhe zvogëlimin e saj. Është një hap i rëndësishëm për të siguruar që të gjitha komunitetet në Kosovë të kenë mundësi të barabarta për të përfituar nga shërbimet dhe burimet qeveritare", tha ai .
Kurti shtoi se Kosova ka nevojë për një qeverisje efikase që përmbushë nevojat e të gjithë qytetarëve, veçanërisht grupeve të margjinalizuara.
"Duhet kujtuar diversitetin etnik, gjuhësor dhe kulturor të Kosovës dhe procesi i zvogëlimit të barrës administrative është bërë tashmë prioritet i yni si qeveri”, tha Kurti.
Eva Palatova, zëvëndësambasadore e BE-së në Kosovë, përmendi elementet kryesore që janë kyçe sipas Zyrës së BE-së për zvogëlimin e barrës administrative.
“Të drejtat gjuhësore, Kosova ka legjislacion që nëse respektohet, ofron mundësi të mëdha. Komunikimi dhe bashkëpunimi më i mirë ndërinstitucional mes komunave dhe qeverisë është kyç dhe ndihmon në forcimin e lidhjeve të Kosovës dhe në forcimin e organizatave të shoqërisë civile”, tha Palatova.
Ndërsa, Jörn Rohde, ambasador gjerman në Kosovë, ka përgëzuar angazhimin e institucioneve drejtë jetësimit të legjislacionit, që qon në lehtësimin e barrës administrative.
“Dua të shprehë përgëzimin tim sidomos për Zyrën tuaj kryeministër në përpjekjet për të harmonizuar shërbimet administrative, duke provuar të krijoni lehtësira në barrën administrative. Përfshirja e komuniteteve, sidomos pakicave ka qenë në fokus të projektit dhe përpjekjet tona dalin përtej efikasitetit deri te përfshirja", tha Rohde.
Ai ka theksuar se jetësimi i legjislacionit aktual është tepër i rëndësishëm.
"Ne mbështesim përparimin drejt lehtësimit të barrës administrative, sepse këto komunitete përballën me sfida,dhe duam që t’i dëgjojmë përvojat e tyre në lehtësirat që ndjejnë tani në lehtësimin e barrës administrative, për të quar një hap para gjithëpërfshirjen. Liria, barazia dhe drejtësia janë parime mbi të cilat është ndërtuar Kosova, dhe ju mund të llogarisni në mbështetjen e Gjermanisë, që të vazhdohet në lehtësim të barrës administrative”, tha tutje Rohde.























