AGK reagon për sulmin ndaj gazetares Ardiana Thaçi Mehmeti 
BKT
Lajme

AGK reagon për sulmin ndaj gazetares Ardiana Thaçi Mehmeti 

B.H./RTKlive

Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës ka reaguar pas raportimit në Kiks Kosova për shpërndarjen e numrit personal të gazetares, Ardiana Thaçi Mehmeti në grupin Albkings. 

"Në emisionin e fundit të Kiks Kosova, i cili i është dedikuar ekskluzivisht shqetësimit të vazhdueshëm që i është bërë gazetares Thaçi Mehmeti nga dhjetëra burra që janë pjesë e këtij grupi, bëhet e ditur se numri i është shpërndarë qëllimisht në shenjë hakmarrjeje për raportimet e mëparshme të saja lidhur me Albkings", thuhet në reagimin e AGK-së. 

Tutje në reagim thuhet se gazetarja ka pranuar telefonata e mesazhe të shumta nga pjesëtarë të atij grupi, jo vetëm në numrin personal, por edhe në llogaritë e saja në rrjetet sociale. 

"Publikimi i numrit personal të gazetares Thaçi Mehmeti në shenjë hakmarrjeje nga Albkings, jo vetëm që e rrezikon sigurinë e saj personale, por edhe shërben si tentim për ta frikësuar dhe heshtur atë. Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës e dënon shpërndarjen e numrit, si dhe mesazhet e telefonatat denigruese që ka pranuar ditëve të fundit gazetarja Thaçi Mehmeti, me qëllim të dëmtimit të reputacionit të saj", thuhet në reagim.

AGK-ja i bën thirrje Policisë së Kosovës dhe Prokurorisë, që urgjentisht të ndërmarrin hapat e nevojshëm lidhur me rastin e paraqitur nga kolegia Thaçi Mehmeti, në mënyrë që personi/at që e kanë shpërndarë numrin, dhe ata të cilët e kanë kontaktuar atë të përballen me ligjin.


MË SHUME NGA Lajme