Numërohen mbi 90 përqind e votave, prin VMRO-DPMNE
M.Miftari/RTKlive
(23:30E Plotësuar) Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve i ka numëruar 90 për qind të votave për zgjedhjet kuvendare.
Prej tyre partia që më shumë ka marrë vota dhe mandate është VMRO-DPMNE, e cila ka siguruar 390.345 vota ose 59 mandate.
Më pas partia e dytë është LSDM, e cila ka marrë 136.748 vota, ose 19 mandate.
Në bllokun shqiptar Fronti Europian ka marrë 127.596 vota, ndërsa me këto vota ka siguruar 19 mandate. Koalicioni VLEN ka marrë 99.534 vota ose 13 mandate.
(E plotësuar 22:15) Numërohen mbi 70 përqind e votave, prin VMRO-DPMNE
Në Maqedoninë e Veriut në orën 7 të mbrëmjes u mbyllën kutitë e votimit për zgedhjet parlamentare dhe balotazhin për presidentin e vendit.
Deri më tash janë numëruar më shumë se 70 për qind e votave në zgjedhjet parlamentare.
Është duke prirë VMRO me 333.501 vota, apo 42,60% të votave.
E dyta është LSDM me 114.218 vota, apo 14,59%
E treta është Fronti Evropian me 113.863 vota, apo 14,54%.
Ndërkaq koalicioni VLEN ka 90.228 vota , apo 11,53%.
(E plotësuar, 19:50) Përfundojnë zgjedhjet në Maqedoni të Veriut
Pas mbylljes së vendvotimeve në orën 19:00, ka filluar numërimi i votave për president të vendit, si dhe për zgjedhjet parlamentare, ku kanë garuar 17 parti.
Siç raporton gazetarja e RTK-së, Edonë Podvorica, është vërejtur numër i vogël i qytetarëve shqiptarë në zgjedhje për president të vendit.
Sipas saj, shqiptarët në Maqedoninë e Veriut nuk kanë votuar për president të vendit, ngase kandidatët për president, qoftë Gordana Siljanovska, nga VMRO-DPMNE, qoftë Stevo Pendaroivski, nga LSDM, nuk kanë premtuar se do të avancojnë të drejtat e shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut.
Ndërkaq sa i përket zgjedhjeve parlamentare, shqiptarët kishin interesim më të shtuar për të votuar, me synimin që të arrijnë sa më shumë vende në Parlamentin maqedonas.
Koalicioni i opozitës shqiptare atje, VLEN, ka paralajmëruar se do të hyjë në një qeverisje të re me partinë fituese të zgjedhjeve.
Rezultatet preliminare për këto zgjedhje pritet të publikohen në orën 23:00, ka njoftuar Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve të Maqedonisë së Veriut.

Zgjedhjet e dyfishta në Maqedoninë e Veriut, proces po zhvillohet i qetë
Maqedonia e Veriut ka hyrë sot në votimin e dyfishtë zgjedhor, ngase po mbahen zgjedhje parlamentare për të ndërtuar legjislaturën e nëntë me radhë, si dhe presidenciale, në ballotazh, që janë mbajtur më 24 prill.
Në garë për zgjedhje parlamentare janë 17 parti politike, ndërsa për zgjedhje presidenciale garojnë dy kandidatë: Stevo Pendarovski, nga LSDM, dhe Gordasna Soljanovska, nga VMRO-DPMNE.
Zëdhënësi i Komisionit shtetëror për Zgjedhje, Admir Shabani, tha se procesi zgjedhor është i organizuar mirë, ngase janë bërë të gjitha përgatitjet për të pasur një proces të tillë.
“Praktikisht, mundi të cilin e dhamë gjatë kësaj periudhe dyjavore, nga raundi i parë i zgjedhjeve presidenciale, sot rezulton në një proces të qetë dhe shumë mirë të organizuar”, tha për “InfoPlus”,në RTK, Shabani.
Ai shtoi se zgjedhjet po shkojnë në mënyrë të duhur, me shumë pak probleme teknike, që siç tha ai, ekipet në terren intervenuan dhe i evituan shumë shpejt.
Ndërkaq lidhur me shpalljen e rezultateve preliminare për të dyja palët, Shabani tha se në bazë të praktikave të mëparshme ato do të shpallen rreth orës 23:30 minuta.

Ndërkaq në Tetovë, sipas sekretarit i Komisionit Komunal Zgjedhor, Nazmi Dauti, procesi zgjedhor në këtë komunë është duke shkuar në rregull, ndonëse në mëngjes ka pasur një problem të karakterit teknik, nga shkaku i pajisjeve biometrike në dy qendra votimi.
Ai u bëri thirrje qytetarëve që të dalin masivisht në zgjedhje parlamentare e presidenciale.
“Besoj se këto zgjedhje do të përfundojnë në mënyrën më fer dhe më demokratike”, deklaroi Dauti për “InfoPlus”, në RTK.
Ndryshe, në Maqedoninë e Veriut qytetarët atje po votojnë për t'i zgjedhur presidentin dhe Parlamentin e ri të vendit në zgjedhje të dyfishta. Kutitë e votimit në 3 mijë e 840 vendvotime janë hapur në orën 7:00 dhe do të mbyllen në 19:00, ndërsa të drejtën e votës e kanë mbi 1.8 milion votues, të cilët do votojnë për 17 parti politike dhe koalicione.























