Para takimit në Bruksel, Petkoviq i ankohet QUINT-it për Kosovën
SH.Ç/RTKlive
Shefi i të ashtuquajturës Zyrë për Kosovën në Qeverinë serbe, Petar Petkoviq, e ka kritikuar sërish Kosovën gjatë takimit me ambasadorët dhe përfaqësuesit e shteteve të QUINT-it dhe kreut të delegacionit të Bashkimit Evropian në Serbi, duke thënë se Kosova është fajtorja e vetme që shkakton kriza.
Sipas njoftimit të Zyrës që udhëhiqet nga Petkoviq, rundi i ri i dialogut në Bruksel do të mbahet javën e ardhshme dhe tema kryesore do të jetë sërish vendimi i Kosovës që të ndalojë përdorimin e dinarit serb për kryerjen e pagesave.
Në njoftim thuhet se gjatë takimit me diplomatët nga Shtetet e Bashkuara, Mbretëria e Bashkuar, Franca, Gjermania, Italia dhe BE-ja, Petkoviq ka theksuar se çështja e përdorimit të dinarit serb në Kosovë duhet të zgjidhet sa më shpejt që të jetë e mundur. Sipas njoftimit, ai ka vënë në pahë “gatishmërinë e Beogradit që nga fillimi i këtij procesi për të gjetur një kompromis, një zgjidhje të qëndrueshme dhe të pranueshme”.
Sipas Ptrkoviqit, Kosova po vendos “kushte të pamundshme dhe pengesa” me “qëllim që të mos arrihet kompromis dhe të thellohet edhe më tej kriza”.
Kosova dhe Serbia kanë këmbyer akuza për dështimin që deri më tani të arrihet një zgjidhje në dialogun në Bruksel, teksa BE-ja pret që palët të gjejnë një zgjidhje bazuar në propozimin e të dërguarit të posaçëm të bllokut, Mirosllav Lajçak, gjatë takimit të radhës që mbahet në mes të majit.























