Çështja e dinarit, Lajçak fton kryenegociatorët në Bruksel më 15 maj
BKT
Lajme

Çështja e dinarit, Lajçak fton kryenegociatorët në Bruksel më 15 maj

Gjeraqina Tuhina / RTK, Bruksel

(E plotësuar) Emisari evropian për dialog Miroslav Lajçak ka ftuar kryengociatorët e Kosovës dhe Serbisë për të vazhduar diskutimet mbi dinarin. Takimi i radhës do mbahet më 15 maj.

“Kryengociatorët do të takohen të mërkurën këtu në Bruksel, dhe do të vazhdojnë diskutimet për gjetjen e zgjidhjes së përkohshme të qëndrueshme për personat e prekur nga vendimi i Bankës Qendrore të Kosovës për operacionet me para të gatshme. Dhe në pritje të këtij takimi të mërkurën, Bashkimi Evropian pret që të dyja palët të tregojnë fleksibilitet dhe gatishmëri për të arritur një kompromis”, ka thënë Stano.

Do jetë ky takimi i shtatë me radhë ku diskutohet zbatimi i rregullores së BQK-s. Palët akoma nuk kanë gjetur zgjidhje, teksa në tryezë është akoma propozimi për kompromis i prezantuar nga Miroslav Lajçak në fund të muajit mars.

“Me çdo takim në kuadër të dialogut mes Beogradit dhe Prishtinës, shpresojmë se ky do të jetë një takim përfundimtar ku do trajtohet kjo çështje specifike, sepse këto çështje po e zhvendosin vëmendjen nga ajo që është realisht e nevojshme, dhe ajo që është realisht e nevojshme është progresi në zbatimin e të ashtuquajturës Marrëveshjes së Ohrit bashkë më aneksin e zbatimit. Pra, ne shpresojmë që palët të sillen në frymën evropiane dhe të arrijnë kompromisin e nevojshëm. Por përsëri, si me gjithçka në dialog, në të vërtetë nuk varet nga ajo çfarë ne dëshirojmë por varet gatishmëria dhe aftësia e të dyja palëve për të arritur një kompromis të pranueshëm”, ka shtuar Stano.

Takimi do mbahet tre ditë pas përfundimit të periudhës transitore të dhënë nga ana e BQK-s. Nga 12 maji monedhë e vetme në Kosovë është euro. Njëjtë sikur për takimet e mëhershme, edhe kësaj radhe Bashkimi Evropian shpreson se takimi i të së mërkurës do jetë i fundit ku do trajtohet çështja e dinarit.

Çështja e dinarit, të mërkurën takimi i radhës në Bruksel

Takimi i radhës për dinarin do të mbahet të mërkurën në Bruksel, ka konfirmuar zëdhënësi i BE-së, Peter Stano.

Ai tha se kryenegociatorët e Kosovës dhe Serbisë, Besnik Bislimi dhe Petar Petkoviq do të vijnë me ftesë të emisarit Evropian për dialog, Miroslav Lajçak.

Stano porositi se presin nga palët të dëshmojnë gatishmëri për gjetje të zgjidhjes së problemit.

"Presim nga palët që të kenë sjellje evropiane dhe gjejnë zgjidhje kompromisi. Kryengociatorët mëtojnë të gjejnë zgjidhje gjatë diskutimeve konfidenciale e këto janë mënyrat evropiane për gjetjen e zgjidhjes diplomatike. BE vazhdon t'iu ndihmojë atyre që të gjejnë kompromisin, i cili është i nevojshëm, sepse kjo ndikon në jetën e njerëzve", deklaroi Stano.

Që nga muaji shkurt janë mbajtur shtatë takime ku është diskutuar zbatimi i rregullores së BQK-së. Në asnjë takim të mëhershëm nuk është gjetur zgjidhja e kompromisit për atë që quhet ‘çështja e dinarit’.


MË SHUME NGA Lajme