Hoti kritikon Qeverinë: E degraduan pozitën e Kosovës në dialog
BKT
Lajme

Hoti kritikon Qeverinë: E degraduan pozitën e Kosovës në dialog

B. H. | RTKlive

Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Avdullah Hoti, ka kritikuar ashpër qeverinë aktuale, duke thënë se dëshiron të ikë nga qeverisja, tashmë kur e ka degraduar pozitën e Kosovës në dialogun me Serbinë në Bruksel.

“Këta që na sollën draft-statutin e asociacionit, që siç e thonë vetë i ngjason një krijese sikurse në Bosnjë, duhet larguar nga pushteti. Në vend se të kapeshin fort në parimet e dialogut për njohje, të zhvilluara nga qeveria e mëparshme e që respektoheshin nga aleatët, këta e degraduan pozitën e Kosovës në dialog dhe në skenën ndërkombëtare”, ka shkruar Hoti në Facebook.

Ai tutje ka thënë se sot e gjithë bota demokratike pa përjashtim i bën presion Kosovës për themelim të asociacionit sipas draft-statutit që thirret në rezolutën 1244, e që sipas tij legjitimon strukturat ilegale serbe dhe anashkalon Kushtetutën e Kosovës në adresimin e kontesteve ligjore.

“Nga tetori 2023, këta e kanë pranuar draftin. Nuk janë të zotë t’i thonë jo. Tani kërkojnë të ikin nga qeverisja duke e futur opozitën në lojë se gjoja është paralizuar Kuvendi. Nëse bëhen bashkë si koalicion, me një pjesë të opozitës votohen edhe marrëveshjet ndërkombëtare”, ka shkruar tutje Hoti.


MË SHUME NGA Lajme