Sveçla publikon fotografi të armatimit të konfiskuar në Zveçan
BKT
Lajme

Sveçla publikon fotografi të armatimit të konfiskuar në Zveçan

E. Hoti / RTKlive

Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka reaguar pas konfiskimit të një sasi të konsiderueshme të armatimit në pjesën veriore, që dyshohet të ketë mbetur aty, pas sulmit të 24 shtatorit të vitit të kaluar në Banjskë të Zveçanit. Ai ka publikuar edhe fotografi nga armatimi i konfiskuar.

Në një postim në Facebook, Sveçla ka shkruar se kanë zbuluar përmasat e krimit dhe kapacitetet e armatimit që kanë pasur grupet kriminale në veri.

“Në çdo ditë të punës sonë po zbulojmë përmasat e krimit dhe kapacitetet e armatimit që kanë pasur grupet kriminale në veri, të cilat kanë sulmuar apo kanë planifikuar të sulmojnë zyrtarët tanë dhe institucionet tona”, ka shkruar Sveçla.

Ai ka thënë se është e qartë se kush qëndron prapa kësaj veprimtarie si edhe pas depove të tjera të armatimit.

“Mbetjet kriminale të Milan Radojçiqit po i ç’rrënjosim nga veriu i vendit tonë. Është e qartë kush qëndron prapa kësaj veprimtarie si edhe pas depove të tjera të armatimit, sulmeve ndaj zyrtarëve tanë, pjesëtarëve të KFOR, gazetarëve e qytetarëve. Të njëjtit e sulmit të Banjskës, të cilët strehohen në Serbi e mbrohen dhe glorifikohen nga Aleksandër Vuçiq”, ka shkruar tutje Sveçla.

Policia e Kosovës të martën ka konfiskuar sasi të konsiderueshme të armatimit në pjesën veriore. 

Drejtori i përgjithshëm i Policisë së Kosovës, Gazmend Hoxha në një konferencë për media ka thënë se në mesin e pajisjeve të konfiskuara janë rreth 1.500 municione, 10 armë të gjata, 62 shok-bomba, eksplozivë, radio-lidhje, karikatorë të mbushur e të zbrazët, dhe një uniformë e ushtrisë serbe.


MË SHUME NGA Lajme