Hamza: PDK do t’i votojë Marrëveshjet Ndërkombëtare
BKT
Lajme

Hamza: PDK do t’i votojë Marrëveshjet Ndërkombëtare

B. H. | RTKlive

Partia Demokratike e Kosovës do t’ia japë votën Marrëveshjeve Ndërkombëtare në Kuvendin e Kosovës. Një gjë të tillë e bëri të ditur kandidati për kryeministër nga radhët e kësaj partie, Bedri Hamza, në një konferencë për media.

Hamza ka thënë se ky qëndrim i PDK-së vjen si rezultat i kandidaturës së tij për kryeministër dhe jo për shkak të takimit të kryeministrit Albin Kurti me kreun e PDK-së, Memli Krasniqi, derisa shtoi se prioritet është interesi i qytetarëve dhe jo i individëve.

“PDK do t’i votojë Marrëveshjet Ndërkombëtare. Për neve, për mua si kandidat, prioritetet janë të qarta. Fillimisht interesi i vendit, pastaj i partisë politike dhe në fundi i neve si individë brenda partive politike. Por, mbi të gjitha e përtej të gjithave interesi i qytetarëve të vendit. Fatkeqësisht e dini se Kosova është nën masa, e nën sanksione dhe janë qindra milionë euro të bllokuara si rezultat i mos harmonizimit, mos koordinimit dhe mos bashkëpunimit me faktorë relevantë ndërkombëtar. Përtej aspektit financiar kemi të bëjmë edhe me një dëmtim të reputacionit të vendit”, ka thënë Hamza.

I pyetur nëse në takimin Kurti-Krasniqi ka pasur ndonjë marrëveshje për koalicion të mundshëm mes VV-së dhe PDK-së me atë si kryeministër, Hamza është përgjigjur: “Nuk bëhet fjalë për kurrfarë koalicioni. Nuk jemi duke folur për koalicione. Ne jemi në garë për të punuar fort që t’i bindim qytetarët me program, me ekip, me listë e me gjithçka që kërkon fushata, që ne te jemi parti fituese dhe të krijohet situata që ne ta udhëheqim qeverinë”.


MË SHUME NGA Lajme