Kurti takon udhëheqësit e koalicionit VLEN, i përgëzon për rezultatin
E. Hoti / RTKlive
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti sot priti në vizitë miqësore udhëheqësit e koalicionit VLEN të partive shqiptare në Maqedoninë e Veriut, Bekim Qoku, Bilall Kasami, Arben Taravari, Izet Mexhiti e Afrim Gashi, të cilët i përgëzoi për rezultatin zgjedhor.
Zyra e Kryeministrit përmes një komunikatë theksoi se është hera e parë që opozita shqiptare arrin të prekë dhe të tejkalojë 100,000 vota.
"Përfaqësuesit e VLEN diskutuan me kryeministrin Kurti për çështjet me rëndësi për shqiptarët në Maqedoninë e Veriut, por edhe për marrëdhëniet ndërshtetërore mes Republikës së Kosovës dhe Republikës së Maqedonisë së Veriut e për çështje të tjera të rëndësishme", thuhet në njoftim.
Tutje u tha se shqetësuese për palët vazhdon të jetë influenca ruse dhe serbe, e cila ndodh edhe përmes rrjeteve korruptive e kriminale.
"Zhvillimi i infrastrukturës që ndërlidh popullsitë e shtetet tona, ishte një ndër temat kryesore të diskutimit, bashkë me ide e projekte për gjallërimin e bashkëpunimit ekonomik, kulturor e arsimor”, thuhet në njoftimin e Zyrës së Kryeministrit..
Bëhet e ditur se takimi u zhvillua në frymë të bashkëpunimit të përzemërt, duke mbajtur parasysh se shqiptarët në Ballkan janë faktor i padiskutueshëm në mbështetje të demokratizimit, integrimit europian, paqes e sigurisë dhe qëndrueshmërisë euroatlantike.























