Nënshkruhet marrëveshja me SHBA-të kundër manipulimit të informacionit
BKT
Lajme

Nënshkruhet marrëveshja me SHBA-të kundër manipulimit të informacionit

Edona Podvorica/RTKlive

(E përditësuar 10:15) Presidentja Vjosa Osmani ka pritur në takim nënsekretaren amerikane të Shtetit, Elizabeth Allen. Ato kanë nënshkruar një marrëveshje mirëkuptimit ndërmjet Qeverisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Republikës së Kosovës, kundër manipulimit të informacionit nga shtetet e huaja.

Pas nënshkrimit të kësaj marrëveshjeje, në një konferencë për media, presidentja Osmani ka thënë se kjo është dëshmi e fuqizimit të metejmë të raporteve të SHBA-ve me Kosovën.

“Kjo marrëveshje që nënshkruam sot me nënsekretarën Allen, është dëshmi e fuqizimit të metejmë të raporteve të dy shteteve tona,  në mënyrë që të bashkojmë forcat kundër manipulimit të informacioneve nga shtetet e huaja”, u shpreh Osmani.

"Kjo marrëveshje në mes të Kosovës dhe ShBA-së, lehtëson shkëmbimin e informacionit, dhe do të nxisë një koordinimin më  të madh dhe të vazhdueshëm,të institucioneve, shoqërisë civile dhe të gjitha paleve të interesuara", theksoi presidentja.

Ajo tutje përmendi edhe sulmet ruse nëpërmjet Serbisë.

"Fatkeqësisht as Kosova nuk është kursyer nga këto sulme të cilat sa vijnë e intensifikohen si rezultat i ndikimit të Rusisë në rajon përmes satelitit të saj, Serbisë. Kjo jo vetëm që është shqetësuese por paraqet rrezik aktiv për destabilizimin e rajonit tonë. Rusia në këtë mënyrë po përpiqet të ushtrojë ndikim duke targetuar sukseset dhe arritjet e angazhimit të përbashkët të popullit të Kosovës me shtetet demokratike, në veçanti me SHBA-të”, tha Osmani.

Në anën tjetër nënsekretarja amerikane e Shtetit, Elizabeth Allen tha se ky memorandum i marrëveshjes mes ShBA-së dhe Kosovës detajon ndërtimin e kapaciteteve të komunikimit strategjik përmes diplomacisë digjitale evropiane, shkëmbimit dhe aktiviteteve të tjera të kornizës.

"Ne e pranojmë se qeveritë autoritare manipulojnë informacionin dhe përhapin dezinformata për të ndikuar tek njerëzit në mbarë botën për të mbjellë kaos,ndarje për të ulur besimin në institucione, veçanërisht në institucione demokratike. Siguria dhe stabiliteti në Evropën Jugore dhe Qendrore, veçanërisht në Ballkanin Perëndimor janë prioritetet kryesore që kam theksuar në çdo pjesë të udhëtimit tim në rajon", tha Allen.

"Korniza jonë e qeverisë amerikane fokusohet në luftën kundër  manipulimit të informacionit, dhe ky memorandum i marrëveshjes sot këtu midis SHBA-së dhe Kosovës përfshinë disa pika. Ai detajon ndërtimin e kapaciteteve të komunikimit strategjik përmes diplomacisë digjitale evropiane, shkëmbimit dhe aktiviteteve të tjera të kornizës”, shtoi tutje nënsekretarja amerikane e Shtetit.

Ajo tha se ShBA-ja mbështet trajtektoren e Kosovës drejt institucioneve euroatlantike.

"Mbështetsim trajtektoren e Kosovës drejt institucioneve euroatlantike përmes bashkëpunimit të ngushtë. Diskutuam për hapat kryesor, për udhëtimin e Kosovës euroatlantik përmes Asociacionit të komunave me shumicë serbe. Diskutuam edhe për rini, trajnime, edukim për të siguruar të ardhme të ndritur për Kosovën", theksoi Allen.

(09:10) Osmani takohet me Allen, pritet nënshkrimi i marrëveshjes SHBA-Kosovë

Presidentja Vjosa Osmani po zhvillon takim me  Nënsekretaren amerikane të Shtetit, Elizabeth Allen.

Ato do të nënshkruajnë një marrëveshje mirëkuptimit ndërmjet Qeverisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Republikës së Kosovës, kundër manipulimit të informacionit nga shtetet e huaja.

Pas nënshkrimit të marrëveshjes, Presidentja Osmani dhe Nënsekretarja Allen do të deklarohen për media.


MË SHUME NGA Lajme