Oficeri gjerman dëshmon për ngjarjen në Prizren|Video
SH.Ç/RTKlive
(E plotësuar) Oficeri i Ushtrisë Federale të Gjermanisë, Dietrich Klaus-Jensch ka thënë se në kohën kur kishte shkuar që të kryente bastisjen në ish-godinën e MUP-it në të cilën ishin duke qëndruar anëtarët e UÇK-së, pa një person të vdekur dhe disa të tjerë të marrë peng e që këtë gjë e konsideronte si akt penal.
Oficeri gjerman ka thënë se kishte bërë fotografi të anëtareve të UÇK-së me qëllim për t’i dokumentuar personat të cilët ishin përgjegjës për atë se çfarë ishte gjetur në godinë.
“Duke pasur parasysh faktin që kishim një person të vdekur dhe disa persona të marrë peng, unë e konsideroja situatën si akt penal dhe doja të dokumentoja personat që ishin përgjegjës përmes fotografisë”, ka deklaruar dëshmitari, sipas të cilit, një prej kolonelëve gjermanë i ka liruar anëtarët e UÇK-së.
Në disa imazhe të paraqitura para gjykatës, shiheshin shumë armë në tokë për të cilat dëshmitari, ka thënë se liderët e UÇK-së i kishin dorëzuar në mënyrë vullnetare pasi ia kishin kërkuar ushtarët e KFOR-it.
“Pasi i kishim marrë liderët e UÇK-së i kishim kërkuar që t’i dorëzonin në mënyrë vullnetare armët. Këtë gjë e bënë dhe sikur mund të shikoni të gjitha dorëzimet janë materiale të cilat ne i kemi gjetur përveç armëve që u dorëzuan vullnetarisht”, ka deklaruar ai.
Në një fotografi shihej një person i mbështetur në një makinë dhe disa tek një pemë e që dëshmitari ka thënë se ishin pjesëtarë të UÇK-së të cilët kanë qenë të pranishëm në godinë. Ndërsa, për një tjetër ai ka theksuar se iu prezantua si komandant i Zonës së Pashtrikut, i cili sipas tij, fliste edhe frëngjisht.
Dietrich Klaus-Jensch ka deklaruar se komandantin e kishte dërguar brenda godinës së MUP-it për t’ia treguar trupin e vdekur të një personi i cili ishte gjetur nga ushtarët e KFOR-it.
Sipas prokurores Sarah Clanton, në deklaratën e mëhershme dëshmitari kishte thënë që pasi komandanti e kishte parë këtë person të vdekur, në prani të Klaus-Jensch ai kishte thënë se kjo është një katastrofë.
Oficeri gjerman fillon dëshminë në rastin e ish-krerëve të UÇK-së|Video
Në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë ka filluar dëshminë dëshmitari i 63-të i Zyrës së Prokurorit të Specializua, Dietrich Klaus-Jensch, në rastin ndaj ish-krerëve të UÇK-së, Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit. Në seancë e sotme pyetjet për dëshmitarin i ka filluar prokurorja Sarah Clanton.
Sipas përmbledhjes së lexuar nga prokurorja, u tha se Klaus-Jensch kishte drejtuar operacionin për të hyrë në ish-ndërtesën e MUP-it në Prizren për lirimin e të burgosurve dhe çarmatosjen e anëtarëve të UÇK-së.
“Dëshmitari 02540 u disklutua në Kosovë në qershor të ’99-ës si komandant i forcave gjermane që ishte pjesë e kontingjentit të KFOR-it. Dëshmitari me numër 02540 dhe njësiti i tij ishin të vendosur në Prizren dhe ndër detyrat e tyre ishte patrullimi dhe të trajtonin aspektet e sigurisë të cilat po i përjetonte popullata atje. Dëshmitari me numër 02540 ka qenë i pranishëm atje kur u bastisën ambientet që përdorte UÇK-ja. Në veçanti, më 18 qershor të 1999-ës ka qenë i pranishëm në ish-ndërtesën e MUP-it në Prizren, ku drejtoi një operacion për të hyrë në ndërtesë, për të liruar personat e ndaluar dhe për të çarmatosur anëtarët e UÇK-së që ishin të pranishëm, ka theksuar Clanton.
Prokurorja ka theksuar se dëshmitari pa persona të plagosur atje dhe kërkoi mbështetje mjekësore nga njësitet e KFOR-it, të cilët ofruan ndihmë për të lënduarit.
Në seancë, dëshmitari ka thënë se aktualisht është oficer i Ushtrisë Federale të Gjermanisë dhe mban pozitën si kolonel-lejtnant. Ndërsa, ka theksuar se më 1999-ën, ka qenë major.
Klaus-Jensch ka deklaruar se ka dhënë deklaratë edhe për ish-Tribunalin për Jugosllavinë, ndërsa sipas prokurores, kjo deklaratë mban datën 30 tetor 2001.
Atij iu prezantuan disa fotografi në të cilat bëri identifikime, e që në njërën prej tyre tha se ishte një pjesëtar i UÇK-së.
Sipas kryetarit të trupit gjykues Charles Smith, dëshmia e këtij dëshmitari pritet të zgjasë rreth tetë orë e që dy prej tyre janë parashikuar për përfaqësuesit e ZPS-së dhe gjashtë orë të tjera për ekipet mbrojtëse.























