Ahmetxhekaj: RTK ka buxhetin e pamjaftueshëm për program zhvillimor
M.Miftari/RTKlive
Në ciklin e debateve që drejtori i përgjithshëm i Radiotelevizionit t ë Kosovës, Shkumbin Ahmetxhekaj, ka nisur nëpër qendrat më të mëdha të Kosovës, sot është dita përmbyllëse e debatit me qytetarët e Kosovës, ku janë marrë vërejtjet, sugjerimet, këshillat për punën e RTK-së dhe në Prizren mbyllet cikli i bashkëbisedimit me qytetarët.
Drejtori i Përgjithshëm i RTK-së, Shkumbin Ahmetxhekaj, në fillim të fjalës së tij në debatin përmbyllës, tha se këto dhjetë ditë është hapur debati nëpër qytetet kryesore të vendit për të dëgjuar nga komunitetet e ndryshme të shoqërisë kosovare, mendimet e tyre për punën e RTK-së për vitin 2023.
Ai tha se ky është edhe një obligim ligjor, por se, shtoi ai, në të kaluarën kjo është bërë në një studio të RTK-së, duke qenë pjesëmarrës vetëm stafi, ndërsa këtë herë është vendosur që të dilet në terren për të takuar qytetarët, komunitetet të ndryshme në të gjitha komunat e vendit, “për të kuptuar se çfarë i mungon RTK-së, si shikohet, si vlerësohet puna,etj. ”.
“Ne, natyrisht kur prezentojmë raporte, tentojmë që të kemi pjesët më pozitive, të themi se kemi qenë fantastik ,por një gjë e tillë nuk është fakt i vërtetë, sepse nuk kemi qenë perfekt në kuptimin e asaj që ne kemi qenë të limituar edhe sa i përket buxhetit”, deklaroi Ahmetxhekaj.
Sa i përket financimit të RTK-së, Ahmetxhkaj tha se buxheti i saj është 8.9 milionë euro, gjë e cila është më e ulëta në rajon dhe e pamjaftueshme për program cilësor dhe zhvillimor.
“Gjatë këtyre dy vjetëve të fundit kemi arritur t’i reduktojmë shpenzimet që kemi pasur në segmente të panevojshme, duke investuar në kushte të punës, por edhe në program”, tha Ahmetxhekaj , derisa shtoi se pavarësisht kufizimeve RTK ka arritur të realizojë 6 emisione të reja televizive, t’i fuqizojë 'Mediet Online’, si dhe programin sportiv, por edhe të organizojë Festivalin e parë të Këngës.
“Besojmë dhe kemi obligim se ne jemi pranë secilit qytetarë të Kosovës pavarësisht etnisë që ka”, tha, mes tjerash, Ahmetxhekaj.
Ndërsa udhëheqësja e ‘Medieve Online’, Valjeta Kosumi, në bashkëbisedim me të pranishmit në studion e RTK-së në Prizren, foli për rolin dhe suksesin e ‘Medieve Online’ në RTK, që dëshmohet me performancën dhe kualitetin që është shpërndarë.
Tutje, Kosumi foli për strukturën organizative dhe aktivitetin e ‘Medieve Online ‘ të RTK-së.
“Në një kohë kur bota e ‘Online-it, nëse mund ta qua,j po evoluon, edhe RTK po mundohet t’u japë hapësirën e merituar platformave të rrjeteve sociale. Kemi ‘Facebook-un’ në faqet e komuniteteve, kemi ‘Facebook-un’ kryesor me mbi 600 mijë ndjekës, të cilin po mundohemi ta mbajmë shumë aktivë më programet kryesore të RTK-së, në fakt me të gjitha programet, vetëm se po mundohemi ta përshtatim formateve të rrjeteve sociale”, deklaroi, mes tjerash, Kosumi.
Drejtori i përgjithshëm i RTK-së, Shkumbin Ahmetxhekaj, dhe udhëheqësja e ‘Medieve Online, Valjeta Kosumi, iu përgjigjën pyetjeve të shumta të pjesëmarrësve në këtë takim.


























