Konjufca: Lezha është kryeqyteti i besëlidhjes shqiptare
M.Sh/RTKLive
Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca mori pjesë në festën promovuese të turizmit të qytetit të Lezhës, “Shije Lezhe n’Prishtinë”, e cila u mbajt në Sheshin “Zahir Pajaziti” të kryeqytetit. Kryeparlamentari në fjalimin e tij tha Lezha ka tre lloje të turizmit: turizmin e plazhit, turizmin historik dhe atë malor.
Në prani të kryetarit të Bashkisë së Lezhës, Pjerin Ndreu, përfaqësuesve të institucioneve qendrore e lokale, ambasadorit të Shqipërisë, Petrit Malaj e ambasadorëve të vendeve mike në Prishtinë, si dhe qytetarëve të shumtë, Konjufca e konsideroi të veçantë këtë moment, ngase, siç tha ai, është e zakonshme që Prishtina të shkojë në Lezhë, por nuk është e shpeshtë që Lezha të vijë në Prishtinë.
“Krahas turizmit të plazhit, Lezha ka edhe turizmin historik, i cili është shumë i rëndësishëm për shqiptarët, ngado që janë, sepse Lezha është kryeqyteti i besëlidhjes shqiptare, është kryeqyteti i Gjergj Kastriotit, ku shqiptarët e kanë lidhur besën për liri e për shpëtim. Dhe natyrisht ka turizmin malor, turizmin e natyrës. Mos ta harrojmë se ka edhe një gastronomi të shkëlqyeshme”, tha kryetari në fjalën e tij kryetari Konjufca.























