Vazhdon dëshminë në sesion privat dëshmitari i 65-të i ZPS-së|Video
SH.Ç/RTKlive
(E plotësuar) Në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë po vazhdon dëshminë dëshmitari i 65-të i Zyrës së Prokurorit të Specializuar në procesin gjyqësor ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit.
Ky dëshmitar e filloi dje dëshminë e tij dhe sipas përmbledhjes së lexuar nga prokurorja Alexandra Insinga ai është i afërm i një viktime e cila është zhdukur dhe vrarë nga Drenoci.
Përpara se të vazhdohet me dëgjimin e dëshmisë së këtij dëshmitari, kryetari i trupit gjykues Charles Smith III ka theksuar se do të diskutojnë lidhur me një çështje fillimisht, por që seanca kaloi në sesion privat me arsyetimin e mbrojtjes së dëshmitarit dhe informacionit konfidencial.
Gjithashtu është bërë modifikimi për pushimet në orarin e sotëm të seancës për sesionin e paradites ndërsa, orari i pasdites mbetet i pandryshuar.
“Seanca e parë do të zgjasë deri në orën 10:30, pasuar nga një pushim prej 15 minutash. Seanca e dytë do të vazhdojë deri në orën 12:00. Pushimi i drekës do të jetë prej orës 12:00 deri në ora 14:30, ndërsa seanca e fundit do të mbahet prej orës 14:30 deri në 16:30”, thuhet në njoftim.
Vazhdon procesi gjyqësor ndaj ish-krerëve të UÇK-së
Në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë sot do të vazhdojë procesi gjyqësor ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit.
Në seancën e sotme pritet të vazhdoj dëshminë e tij, dëshmitari i 65-të i Zyrës së Prokurorit të Specializuar. Ky dëshmitar është me masa mbrojtëse dhe pyetjet për atë i ka filluar dje prokurorja Alexandra Insinga, e cila nga përmbledhja që lexoi ka thënë se dëshmitari është i afërm i një viktime të zhdukur nga Drenoci.
“Dëshmitari është i afërm i një viktime që është vrarë dhe zhdukur nga Drenoci. Dëshmitari 04710 do të përshkruaj se çka ka bërë viktima para se të zhdukej nga Drenoci, herën e fundit kur e ka parë atë dhe përpjekjet e anëtarëve të familjes për të kuptuar se çfarë i ndodhi këtij personi”, ka deklaruar prokurorja.
Pas kësaj, me kërkesën e prokurores seanca ka kaluar në seancë privat me arsyetimin për mbrojtjen e dëshmitarit.























