Kickert: Thaçi është cilësuar më shumë si figurë politike sesa ushtarake
BKT
Gjykata Speciale

Kickert: Thaçi është cilësuar më shumë si figurë politike sesa ushtarake

SH.Ç/RTKlive

(E plotësuar) Gjatë dëshmisë së tij në Hagë, dëshmitar Jan Kickert ka theksuar se gjatë vitit 1998, Hashim Thaçin më shumë e kanë konsideruar si figurë politike sesa ushtarake.

Dëshmitari ka thënë se një gazetar kosovar i kishte thënë se Thaçi ishte një personalitet i nivelit të lartë, i cili mund të fliste në emër të UÇK-së në procesin politik.

“Është e saktë sepse atë po kërkonim edhe ne. Kjo më ishte thënë mua nga një gazetar vendor, si personalitet potencial i nivelit të lartë me të cilin mund të fliste me autoritet në emër të UÇK-së për procesin politik të cilin ne po përpiqeshim ta arrinim”, ka deklaruar Kickert.

Aika thënë se është takuar disa herë edhe me Kadri Veselin gjatë kësaj periudhë kohore. Dëshmitari pohoi se më 1999 kishte shkuar edhe në zonën e Llapit, e cila komandohej nga komandant Remi.

Jan Kickert ka theksuar se në atë kohë e kishte përshtypjen se rajonet ishin grupe që vepronin në mënyrë autonome sesa përmes një komande hierarkike.

Dëshmitari pohoi se UÇK-ja ekzagjeronte strukturën e saj, koordinimin për t’u marrë më seriozisht nga ndërkombëtarët.

“Për të çuar përpara statusin e tyre- Kosovës, por edhe për neve në sy tanë të ndërkombëtarëve që t’i merrnim ata më seriozisht. Kjo ka qenë tendenca kryesisht e tyre në mesin e diplomacisë amerikane, për të vënë në një anë UÇK-në në formimin e platformës politike të përfaqësuesve shqiptarë të Kosovës. Ne evropianët, ne austriaket nuk besonim që kjo ishte e mundur, por ishte një përplasje e vazhdueshme. Në verë të vitit 1998  mendoj së ata kanë mbivlerësuar veten e tyre, aftësitë e tyre.”, ka deklaruar ai.

Duke u përgjigjur në pyetjet e avokatit të Thaçit, Luka Mishetiq, dëshmitari ka thënë se postblloqet e vendosura nga UÇK-ja gjatë periudhës së luftës kanë qenë të kontrolluara më shumë nga bujq sesa nga ushtarë.

 

Kickert ka thënë se ata dinin shumë pak për strukturën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, ndërsa pohoi se amerikanët iu kishin thënë se kjo pjesë ishte misterioze, por që kishin përshtypje se ishte strukturë horizontale dhe e shpërndarë.

Në Hagë nis dëshminë diplomati austriak|Video

Diplomati austriak, Jan Kickert, që kishte shërbyer në Beograd gjatë viteve 1997-1999, ka nisur dëshminë në Gjykatën Speciale në rastin ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Diplomati austriak, Jan Kickert, atë kohë kishte shërbyer si sekretar në Ambasadën e Austrisë në Beograd.

Sipas përmbledhjes së lexuar nga prokurori John Capin, ky dëshmitar gjatë vitit 1997 deri në vitin 1999 ka punuar si diplomat austriak në Kosovë dhe se është takuar me krerë të UÇK-së duke përfshirë katër të akuzuarit, raporton “Betimi për Drejtësi”.

“Nga fundi i vitit 1997 deri në mars të vitit 1999, Jan Kickert ka punuar në Beograd si diplomat austriak. Në fillim të vitit 1998 ka udhëtuar në Kosovë i ngarkuar për t’u takuar me udhëheqësit e partive, ndërkombëtarë dhe anëtarëve të tjerë. Vizitat e Kickert në Kosovë janë bërë më të shpeshta në pjesën e dytë të vitit 1998 pasi ai ishte udhëzuar të krijojë një pikë kontakti me udhëheqjen e UÇK-së për t’i angazhuar ata në procesin politik. Për të arritur këtë qëllim, ai ka marrë pjesë në disa takime me anëtarë të Shtabit të Përgjithshme; përfshirë Hashim Thacin, Kadri Veselin, Rexhep Selimin dhe Jakup Krasniqin”, ka theksuar prokurori Capin.

Capin ka deklaruar se dëshmitari ka marrë pjesë në një takim për të diskutuar lidhur me lirimin e disa ushtarëve serbë.

“Në korrik të vitit 1998, Kickert u takua me Hashim Thaçin, Kadri Veselin dhe pastaj ndaras me Jakup Krasniqin. Më 1999, Kickert mori pjesë në takim për të negociuar lirimin e ushtarëve serbë. Kickert ishte vëzhgues gjatë negocitave gjatë dhe pas Konferencës së Paqes në Rambuje, duke ndërvepruar me udhëheqjen UÇK-së, duke përfshirë edhe Hashim Thaçin. Në mars të vitit 1999, Kickert mori pjesë në një takim për të diskutuar marrëveshjen e Rambujesë me udhëheqësit e UÇK-së duke përfshirë Rexhep Selimin, Jakup Krasniqit”, ka theksuar ai.

Më 1999, u tha se ishte këshilltar politik i UNMIK-ut.

Dëshmitari ka pohuar se ka dhënë dëshmi edhe në rastin e Fatmir Limajt. Si rrjedhojë e seancës, në prova materiale u pranuan dy dëshmitë e dëshmitarit të dhëna më herët pranë autoriteteve të drejtësisë së bashku me materialet përcjellëse.

Sipas kryetarit të trupit gjykues, Charles Smith III, dëshmia e këtij dëshmitari do të zgjasë rreth tetë orë e gjysmë e që një prej tyre është parashikuar për pyetjet e ZPS-së ndërsa shtatë e gjysmë për kundërpyetjet e mbrojtjes.

Aktualisht Kickert shërben si ambasador austriak në Romë. Në periudhën 1998-1999 ishte dërguar si asistent special i Bashkimit Evropian në Kosovë e nga viti 1999 deri më 2000 ishte këshilltar politik i Përfaqësuesit Special të Sekretarit të Përgjithshëm të Misionit të Administratës së Përkohshme të Kombeve të Bashkuara në Kosovë.


MË SHUME NGA Gjykata Speciale