Gërvalla e Joly flasin për ngritjen e kapaciteteve të mbrojtjes së Kosovës
Sh.Çoçaj/RTKlive
Në shënim të 25-vjetorit të pranimit të refugjatëve nga Kosova dhe 15-vjetorit të krijimit të marrëdhënieve diplomatike mes dy shteteve, me qëllim të fuqizimit të miqësisë dhe përparimit të projekteve me interes të përbashkët, zëvendëskryeministrja dhe Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla, gjatë një vizite zyrtare në Kanada ka zhvilluar takim me Ministren e Punëve të Jashtme, Melanie Joly.
“Gjatë këtij takimi, e shoqëruar edhe nga kryetarja e Grupit Parlamentar të Miqësisë Kosovë-Kanada, Mimoza Kusari-Lila dhe ambasadori i Republikës së Kosovës në Kanada, Adriatik Kryeziu, pasi e falënderoi për mbështetjen që Kanadaja i ka dhënë Kosovës në çlirimin, rindërtimin dhe zhvillimin e saj, ministrja Gërvalla e njoftoi homologen e saj rreth situatës politike dhe të sigurisë në Kosovë duke theksuar veprimet destabilizuese të Serbisë, e cila sot përbën një rrezik për stabilitetin në Ballkanin Perëndimor dhe në Evropën Juglindore”, njofton Ministria e Jashtme.
Sipas njoftimit, ministret Gërvalla dhe Joly diskutuan rreth fuqizimit të partneritetit në ngritjen e kapaciteteve të mbrojtjes së Kosovës, zhvillimit të qëndrueshëm, investimeve strategjike dhe bashkëpunimit në sektorin publiko-privat.
Në fund të takimit, Ministrja Gërvalla i dhuroi Ministres Joly pullën postare që simbolizon 15-vjetorin e krijimit të marrëdhënieve diplomatike mes dy shteteve dhe mirënjohjen për mbështetjen e Kanadasë për Kosovën.
Gërvalla dhe Kusari-Lila në Kanada, zhvillojnë takime të rëndësishme
Shefja e Grupit parlamentar të LVV-së, Mimoza Kusari-Lila, ka theksuar se për herë të parë në historinë e shtetit tonë të ri, u zhvillua një takim bilateral në Kanada midis ministreve të Punëve të Jashtme të Kanadasë dhe Kosovës, ministres Melanie Joly dhe zëvendëskryeministres dhe ministres së Jashtme, Donika Gërvalla.
Sipas saj, Kanadaja, si një nga mbështetësit dhe miqtë e Kosovës, ka ndihmuar dhe përkrahur Kosovën në të gjitha fazat e zhvillimit të saj si shtet.
“Prandaj, bashkëpunimi dhe thellimi i marrëdhënieve ndërmjet dy vendeve tona është i natyrshëm dhe i rëndësishëm për forcimin e shtetësisë tonë. Kjo mbështetje në raportet diplomatike po shprehet në mikpritjen e ngrohtë gjatë kësaj vizite të delegacionit nga Kosova në kryeqytetin e Kanadasë, Ottawa dhe në gatishmërinë e Qeverisë dhe Parlamentit Kanadez për të thelluar bashkëpunimin në sektorët strategjikë të vendit tonë. Në cilësinë e kryetares së Grupit parlamentar të miqësisë Kosovë-Kanada, po shoqëroj zëvendëskryeministren dhe ministren e Jashtme, Donika Gërvalla Schwarz, gjatë vizitës dyditore në Ottawa.
Dje, u mbajtën takime me ministren e Jashtme, Melanie Joly, ministrin për Zhvillim Ndërkombëtar, Ahmed Hussen, sekretaren parlamentare për Mbrojtje dhe Siguri, Marie-France Lalonde dhe dy drejtuesit e komisioneve parlamentare të Sigurisë dhe Mbrojtjes, John McKay, dhe Punëve të Jashtme, Peter Boehm.
Sot, takimet vazhdojnë në Parlamentin Kanadez, ku do të takohemi me kryetaren e Grupit parlamentar të miqësisë Kanada-Kosovë, znj. Anita Vandenbeld dhe sekretarin parlamentar për Punë të Jashtme, Robert Oliphant.
Kanadaja jo vetëm që ka qenë, por do të vazhdojë të jetë një shtet mik me të cilin ndajmë vlerat dhe parimet demokratike që karakterizojnë një demokraci progresive”, ka shkruar ajo në Facebook.























