RTK mirëpret raportin e ZKA-së, reagojnë sindikatat|VIDEO
BKT
Lajme

RTK mirëpret raportin e ZKA-së, reagojnë sindikatat|VIDEO

Edina Avdiu/RTK

Zyra Kombëtare e Auditimit ka dhënë opinion të kualifikuar për Radiotelevizionin e Kosovës në raportin vjetor për pasqyrat financiare për vitin 2023. Në raport thuhet se nga 12 rekomandime të dhëna vitin e kaluar për RTK-në, 11 nga to janë zbatuar tërësisht, ndërsa një rekomandim është zbatuar pjesërisht.

Raporti i ZKA-së ka gjetur edhe mangësi në tri procese të rekrutimit në Radiotelevizionin e Kosovës.

Pavarësisht asaj se njëri nga kandidatët kishte rrumbullakuar përgjigjen e saktë, në testin me shkrim, në konkursin për pozitën “Udhëheqës në Teknologji Informative”, ai ishte vlerësuar me zero pikë.

Mangësi janë hasur edhe te konkursi për pozitën “Teknik në Facebook”, ku sipas gjetjeve të raportit, dy formularët për aplikim për punë nuk ishin nënshkruar nga kandidatët, por ata ishin përzgjedhur për procedura të rekrutimit më tutje.

Një kandidat për pozitën “Gazetar Redaktor Ueb Faqe në RTK, ishte ftuar për pjesëmarrje në proces të rekrutimit edhe pse data e formularit nuk i përkiste periudhës së procesit të rekrutimit.

Kryetari i Bordit të RTK-së, Besnik Boletini, tha se do të jenë më rigorozë dhe llogaridhënës, në mënyrë që të mos përsëriten lëshime të tilla.

 “Sa i përket ceshtjeve administrative dhe konkurseve, janë mangësi dhe dobësi që janë evidentu. Ne kemi kriju një rregullore të re sa u përket konkurseve në RTK dhe ajo do të na ndihmoj shumë në këtë aspect. Ne sigurisht do të jemi rigoroz dhe llogaridhënies që të mos kemi përsëritje të këtyre gjerave sa u përket lëshimeve që kanë ndodhë në konkurse të caktuara”, ka deklaruar Boletini.

Ai tha se së shpejti do të krijohet një plan i veprimit për zbatimin e rekomandimeve, për të cilat u zotua se do të zbatohen në një kohë sa më të shpejtë që është e mundur.

Për raportin e auditorit ka reaguar edhe drejtori i Përgjithshëm i RTK-së, Shkumbin Ahmetxhekaj.

Ai ka thënë se konstatimi i raportit se të gjitha rekomandimet e vitit 2022 janë zbatuar nga RTK-ja tregon për nivelin e përkushtimit dhe rritjen e mbikëqyrjes dhe llogaridhënies në transmetuesin publik.

“Për më pak se një vit, ne zbatuam të 12-të rekomandimet e raportit të ZKA-së për vitin 2023. Në opinionin e ZKA-së të paraqitur në raportin e sapo publikuar theksohet se “Përveç efekteve të çështjes së përshkruar në paragrafin baza për opinion të Kualifikuar, Pasqyrat Financiare të bashkëngjitura për vitin e përfunduar me 31 dhjetor 2023, prezantojnë një pamje të drejtë dhe të vërtetë në të gjitha aspektet materiale të pozitës financiare të Radio Televizionit te Kosovës deri me 31 dhjetor 2023, performancës se saj, si dhe rrjedhës se parasë së gatshme për vitin 2023, në përputhje me Standardet Ndërkombëtare te Raportimit Financiar”.

Ndërsa sindikatat e punëtorëve të RTK-së kanë reaguar duke i quajtur alarmante dhe shqetësuese të gjeturat në raportin e Zyrës Kombëtare të Auditimit për RTK-në dhe kanë kërkuar nga Bordi i RTK-së të ndërmarrë masa të menjëhershme.

Në raportin e ZKA-së për RTK-në vitin 2023 janë dhënë 7 rekomandime, 6 të reja ndërsa një është i përsëritur.


MË SHUME NGA Lajme