Kickert: Disa nga anëtarët e LDK-së e mohonin ekzistencën e UÇK-së
BKT
Gjykata Speciale

Kickert: Disa nga anëtarët e LDK-së e mohonin ekzistencën e UÇK-së

SH.Ç/RTKlive

(E plotësuar) Në gjykimin ndaj ish-krerëve të UÇK-së, Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit, diplomati austriak Jan Kickert i cili po e vazhdon dëshminë e tij duke y pyetur nga mbrojtja.

Mbrojtësi i Jakup Krasniqit, avokati Aiden Ellis ka theksuar se kanë dëgjuar një dëshmitar së fundi të thoshte se i kujtohet që Presidenti Ibrahim Rugova ka thënë në media që Ushtria Çlirimtare të Kosovës ishte “lojë serbe”.

“Kemi dëgjuar një dëshmitar të thoshte që i kujtohet që Rugova është cituar të thoshte që UÇK-ja ishte një lojë serbe”, ka thënë Ellis. Por, diplomati austriak Jan Kickert i cili po e vazhdon dëshminë edhe të mërkurën në Hagë, ka thënë se nuk i kujtohet një gjë e tillë.

Ellis, është fokusuar në verën e vitit 1998 kur si pjesë e diplomacisë së jashtme dëshmitari po bënte përpjekje për të kontaktuar me përfaqësuesit e UÇK-së për të formuar një platformë të shqiptarëve të Kosovë që të përfshiheshin në negociata.

Ai ka thënë se ka pasur deklarata nga anëtarët e Lidhjes Demokratike të Kosovës që thoshin se UÇK-ja ishte “pjesë e ushtrisë serbe”. “Ka pasur deklaratë nga LDK-ja nga disa anëtarë të LDK-së që thoshin se UÇK-ja nuk ekzistonte si pjesë ose ishte pjesë e ushtrisë serbe mbase”, tha Ellis.

Dëshmitari ka thënë se ka pasur mundësi që të ekzistonin fjalë të tilla pasi që në popullatën shqiptare ekzistonte frika e humbjes së monopolit politik që kishte LDK-ja.

Gjithashtu dëshmitari ka theksuar se disa nga anëtarët e LDK-së e mohonin ekzistencën e UÇK-së. “Disa nga anëtarët e LDK-së e mohonin ekzistencën e UÇK-së, kjo është e vërtetë”, tha dëshmitari.

Diplomati austriak tha se nga mesi i 1998-ës e kishte kuptuar se Jakup Krasniqi kishte pozitën e zëdhënësit të UÇK-së. Ndërsa, para se të caktohet ai, dëshmitari tha se në këtë pozitë ka qenë Bardhyl Mahmuti.

“Ka qenë Bardhyl Mahmuti, ka qenë një zëdhënës që punonte në Gjenevë, por gjithsesi nuk besoj që ka raportuar ai ndonjëherë përpara grupit të kontaktit”, tha dëshmitari.

Dëshmitari pohoi se Ramë Buja dhe Jakup Krasniqi kanë qenë zyrtarë të LDK-së përpara se t’iu kyçeshin UÇK-së. Ndërsa, në takimin që kishte pasur me të akuzuarin, ish-diplomati austriak ka theksuar se u prezantua me emër.

“Zotëri Krasniqi nuk kishte nofkë dhe thjesht ne po spekulonim se çfarë numri mund të kishte ai”, tha Kickert.

Megjithatë, dëshmitari tha se në atë takim që kishte pasur me Krasniqin dhe anëtarë të tjerë të UÇK-së, nuk besonte se tashmë i akuzuari mund të merrte vendime.

Në shënimet që kishte nxjerrë dëshmitari nga takimi me Jakup Krasniqin dhe të tjerët, ai kishte shkruar se dikush i kishte thënë ‘asnjëherë mos e pranoni listën e Milazim Krasniqit për t’u diskutuar’. Diplomati austriak shtoi se për këtë gjë kishte folur Jakup Krasniqi, por pa i përjashtuar edhe të tjerët.

“Me sa më kujtohet mua, për të folur ka folur Jakup Krasniqit. Ai ka qenë zëdhënësi. Nuk mund të them me përqindje se kush ka folur dhe sa për qind të takimit, por Jakup Krasniqi ka qenë një prej folëseve në këtë takim”, ka deklaruar ai.

Në Hagë e vazhdon dëshminë diplomati austriak

Në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë, vazhdon dëshminë e tij, dëshmitari i 68-të i Zyrës së Prokurorit të Specializuar, Jan Kickert, i cilit martën e ka filluar dëshminë, duke iu përgjigjur pyetjeve të shumta.

Duke u përgjigjur në pyetjet e mbrojtjes së Hashim Thaçit, dëshmitari Jan Kickert ka theksuar se përmes rrugëve të tyre të inteligjencës kishin kuptuar planin “Patkoi” të presidentit serb, Sllobodan Millosheviq për dëbimin e shqiptarëve nga Kosovë.

“Ne morëm vesh që forcat jugosllave do të dëbonin shqiptarët drejtë vendeve fqinje, drejtë Shqipërisë dhe Maqedonisë në formën e patkoit nga qendra drejtë periferisë dhe më pastaj drejtë vendeve fqinjëve. Unë këtë informacion e kam marrë nga atasheu ynë ushtarak”, tha dëshmitari.

Ndërsa, duke u fokusuar në periudhën e pas luftës, dëshmitarit iu vendos një video e Hashim Thaçit në të cilën thoshte se nuk do të lejojnë anarki dhe frymë të jotolerancës në Kosovë si dhe ata do të respektojnë rregullat dhe rendin demokratik.

Dëshmitari ka theksuar se ishte në dijeni për qëndrimin e Thaçit dhe politikat e tij që etnitë  e tjera të jetojnë në Kosovë. Ai gjithashtu, pohoi se Thaçi kishte tentuar që të shkojë të takohet në mënyrë të drejtpërdrejtë me civilët serb për t’i bindur ata që të qëndrojnë në Kosovë.

Më pas shkurtimisht, dëshmitari u mor në pyetje nga mbrojtja e Veselit, përmes avokatit Ben Emmerson i cili e pyeti lidhur me datat se kur ishte takuar diplomati amerikan me të akuzuarin gjatë periudhës së luftës.

Kurse, në pyetjet e mbrojtjes së Selimit përmes avokatit Geoffrey Robert, dëshmitari ka thënë se në vitin 1999 UÇK-ja ishte më e strukturuar se në vitin 1998.

Dëshmitari të martën e mohoj të ketë dëgjuar për formimin e Gjykatës Ushtarake në UÇK dhe obligimin e Thaçit për mbikëqyrjen e saj.


MË SHUME NGA Gjykata Speciale