Lutfiu: Të përsëritet koalicion gjithëshqiptar në Bujanoc
BKT
Lajme

Lutfiu: Të përsëritet koalicion gjithëshqiptar në Bujanoc

E. Hoti / RTKlive

Kryetari i Këshillit Kombëtar Shqiptar në Luginë të Preshevës, Nevzad Lutfiu ka thënë se zgjedhjet lokale në Bujanoc dhe Medvegjë kaluan pa incidente. Ai tha se ka qenë një fushatë fer e zhvilluar sidomos mes subjekteve politike shqiptare atje.

Lutfiu ka thënë se ajo që është shqetësuese në këto zgjedhje ka qenë rënia e numrit të votuesve për shkak të emigrimit.

“Në komunën e Bujanocit aty ku çështja është pak më e komplikuar fatmirësisht sipas rezultateve preliminare kemi një asamblist më shumë shqiptar. Pra, nga 26 , 27 asamblistë shqiptarë do të jenë në përbërjen e re të Kuvendit Komunal në Bujanoc, ndërkohë kemi rënie të asamblistëve serbë nga 13 sa ishin në 12. Por ajo që vlen të theksohet se në tre vendvotime do të shkohet në rivotim. Shpresoj që të konsolidohen institucionet në këto dy komuna”,  ka thënë Lutfiu në emisionin “Info Plus” në RTK .

Nevzad Lutfiu, kryetar i Këshillit përmendi faktin se në Komunën e Bujanocit për katër vite ka udhëhequr një koalicion gjithëshqiptar.

”Por kësaj radhe nga këndvështrimi i parë duket se gjërat do të jenë më të komplikuara. Uroj që politikanët në këtë komunë ta gjykojnë çështjen ftohtë dhe të përsërisin koalicionin gjithëshqiptar“, ka theksuar ai.

Duke pasur parasysh rëndësinë e këtij koalicioni,  Lutfiu tha se Këshilli Kombëtar Shqiptar ka marrë një iniciativë për marrëveshje mes partive shqiptare për koalicion pas zgjedhor.“Tri parti politike e kanë nënshkruar këtë marrëveshje, ndërsa vetëm një subjekt tjetër opozitar nuk e ka nënshkruar”, ka deklaruar ai.

Sipas tij, duhet një bashkim i gjithë bllokut shqiptar për të krijuar shumicën shqiptare në Komunën e Bujanocit . ”Aktualisht sipas rezultateve preliminare shqiptarët do të jenë të përfaqësuar nga 27 asamblistë”, ka nënvizuar ai.

 


MË SHUME NGA Lajme