Konjufca për Ferrin: Krijimtaria e tij, e pamatshme
K. Kasumi / RTKlive
Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, me rastin e vdekjes së akademikut, piktorit, poetit, prozatorit e eseistit Rexhep Ferri, u ka shprehur ngushëllime familjarëve të të ndjerit si dhe ka thënë se veprimtaria e tij e vendosi atë në mauzoleun e të pavdekshmëve.
“Sot me pikëllim të thellë e mora lajmin se ka ndërruar jetë piktori, profesori e akademiku Rexhep Ferri”, ka shkruar Konjufca në “Facebook”.
Ai ka thënë se ai do t’i mungojë jo vetëm familjes së tij, miqve, kolegëve dhe bashkëpunëtorëve të tij që i pati përgjatë një jete të mbushur me krijimtari dhe punë, por do t’u mungojë të gjithëve, sepse vepra e tij që la pas është një thesar i jashtëzakonshëm.
“Veprimtaria e tij dhe kontributi si profesor dhe krijimtaria e tij e pamatshme si një nga piktorët më të mëdhenj të kombit tonë, e vendosin atë pa asnjë diskutim në mauzoleun e të pavdekshmëve”, shkroi Konjufca.
“Është nder që njëra prej pikturave të Rexhep Ferrit gjendet pikërisht në ambientet e Kuvendit tonë. Veprat e tij i mbajmë me krenari. Ajo qëndron me një shkëlqim rrezatues duke na bërë të gjithëve, bashkë me çdo vizitor aty, dëshmitarë të bukurisë frymëzuese.
Ngushëllime familjes për humbjen e më të dashurit të tyre! Kujtimi i Rexhep Ferrit do të jetojë përgjithmonë në veprën e tij sublime.
Vepra e tij e mrekullueshme do të na shoqërojë përgjithmonë! Shpirti iu prehtë në paqe”, ka theksuar ai.























