Osmani: Rexhep Ferri i takon brezit të artë të piktorëve të Kosovës
N.M. /RTKlive
Presidentja e vendit, Vjosa Osmani, ka ngushëlluar familjen, miqtë, Akademinë e Shkencave dhe Arteve të Kosovës, si dhe komunitetin kulturor për ndarjen nga jeta të akademik Rexhep Ferrit.
“Kosova sot humbi akademikun, piktorin, poetin, prozatorin e eseistin Rexhep Ferri.
Mjeshtëria e tij krijuese ka gërshetuar mrekullisht pikturën me letërsinë, të cilave nuk iu nda gjatë gjithë jetës. Akademik Ferri i takon brezit të artë të piktorëve të Kosovës, ndaj emri i tij do të mbetet i skalitur përherë në kujtesën tonë nëpërmjet krijimeve të tij artistike të larmishme, të cilat do të mbeten testament për ne dhe brezat pas nesh”, ka thënë Osmani.
“Ju përcjell ngushëllimet e mia më të sinqerta familjes, miqve, Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës, si dhe komunitetit kulturor! I përhershëm qoftë kujtimi për akademik Rexhep Ferrin!”, ka thënë Osmani.























